150 mijë euro për vazhdimin e rregullimit të shtratit të lumit Llap

0

Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi, ka pritur sot në takim kryetarët e 4 komunave të Republikës së Kosovës: Prizren, Podujevë, Obiliq dhe Novobërdë, me të cilët ka nënshkruar memorandume të bashkëpunimit për financimin e disa projekteve në fushën e mjedisit.

Me rastin e nënshkrimit të këtyre memorandumeve ministri Matoshi ka ri-përsëritur gatishmërinë e tij dhe të Ministrisë që ai drejton për përkrahjen e komunave në përmirësimin e gjendjes së mjedisit.

Projektet për të cilat sot u nënshkruan memorandume të bashkëpunimit janë ndërtimi i ujësjellësit në Gjonaj, Prizren, i cili kap vlerën prej 277 mijë euro, dhe thuhet se do të zgjidhë problemin e sigurimit të ujit të pijshëm për banorët e kësaj pjese të Prizrenit.

Pastaj vazhdimi i projektit të rregullimit të shtratit të lumit Llap, Podujevë, që kap vlerën e 150 mijë eurove.

Po ashtu, pjesë e projekteve është edhe ndërtimi i kanalizimit Breznicë- Kozaricë, në vlerë totale prej 100 mijë eurove për këtë vit, dhe po ashtu me 100 mijë euro është mbështetur edhe vitin e kaluar.

100 mijë euro janë ndarë edhe për ndërtimin dhe rregullimin e kanalizimit në fshatin Breznicë – Kozaric –Obiliq.

Po ashtu, pjesë e projekteve për të cilat sot u nënshkruan memorandume të bashkëpunimit është edhe rregullimi i hapësirave gjelbëruese dhe mbjellja e drunjve në Obiliq në vlerë prej 50.000 euro, kurse 100 mijë euro tjera janë ndarë për pastrimin e lumenjve, përroskave dhe kanaleve në Obiliq.

Kurse 200 mijë euro për këtë vit janë ndarë edhe për pastrimin e lumenjve në Kufcë, Stanishor, Prekovc dhe Llabjan.

Përveç këtyre projekteve, MMPH thotë se këtë vit në këto komuna realizon edhe projekte tjera për të cilat procedurat i zhvillon ministria.

“Të gjitha këto projekte janë edhe një hap më shumë në angazhimin tonë të përbashkët për përmirësimin e gjendjes së mjedisit dhe ngritjen e mirëqenies së qytetareve të vendit”, ka deklaruar Matoshi.

Ministri para kryetarëve të këtyre komunave ka shprehur besimin e tij që këto projekte do të realizohen me kohe dhe do të kenë një menaxhim efikas nga komunat përkatëse.

Njëkohësisht ai kërkoi nga kryetarët një angazhim më të madh në mbrojtjen e mjedisit, mirëmbajtjen e zonave të gjelbra, mbrojtjen e lumenjve nga ndotja, dhe krahas kësaj të vetëdijesojnë qytetarët për mbrojtjen e mjedisit edhe përmes aplikimit të gjobave.

Nga ana tjetër kryetarët e komunave Agim Veliu (Podujevë), Mytaher Haskuka (Prizren), Xhafer Gashi (Obiliq) e Svetislav Ivanoviqi (Novobërdë), falënderuan ministrin Matoshi për përkrahjen e vazhdueshme dhe financimin e këtyre projekteve që sipas tyre janë shumë të rëndësishme për mjedisin dhe qytetarët e komunave të tyre.