AAK: Veseli i ka votat për kryeparlamentar, Qeveria votohet më 3 gusht

0

Caktimi i seancës konstituive për datën 3 gusht ka bërë qe të nisin deklarimet nëse koalicioni PAN i ka votat e nevojshme për të zgjedhur kryetarin e Kuvendit.

Përderisa, Vetëvendosje dhe LDK deklarojnë se nuk kanë vota për Kadri Veselin si kryeparlamentar, në AAK thonë se përveç Qeverisë, votat janë siguruar edhe për Veselin.

Anëtari i Kryesisë së AAK-së, njëherësh deputet i zgjedhur i kësaj legjislature, Rasim Selmanaj nuk e ve në dyshim sigurimin e votave për Veselin.

“Kryetari i Kuvendit ka me qenë kandidati i PAN-it, në këtë rast Kadri Veseli dhe ka më i marrë votat. Duhet me u konstitu Kuvendi dhe më procedu tutje”, ka thënë Selmanaj për ‘Indeksonline’.

Selamanaj i cili së fundmi ka paralajmëruar se do të dorëhiqet nga kryetari i Deçanit ka thënë se në njëjtën ditë kur do të konstituohet Kuvendi mund të votohet edhe qeveria.

“Pritjet tona janë me u konstitu Kuvendi. Me u zgjedh kryetari i Kuvendit dhe kryesia e Kuvendit. Poashtu presim të njëjtën ditë me u votu edhe qeveria. Nëse nuk votohet atë ditë, atëherë mundet dy tri ditë më vonë”, ka shtuar ai.

Ai ka thënë se deri më tre gusht do të punohet qe koalicionit PAN me iu bashku edhe LDK. Sepse, sipas tij, do të ishte mirë edhe për vet LDK-së dhe për proceset qe e presin vendin.

Një ditë më parë presidenti i vendit, Hashim Thaçi ka caktuar për 3 gusht seancën ku pritet të konstituohet legjislatura e VI e Kuvendit të Kosovës. Ndërsa, sot pritet të mblidhet Kryesia e vjetër e Kuvendit për të bërë përgatitjet e nevojshme për mbajtjen e kësaj seancë./Indeksonline/