ARKIVË: A keni dëgjuar se në Odën e kujt qëndronte Azem Bejta në Llap?!

0

Duke e vërejtur qëndrimin e okupatorit, udhëheqësit e kryengritjes shqiptare të influencuar nga Programi i Komitetit për Mbrojtjen Kombëtare të Kosovës të udhëhequr nga Hasan Prishtina (të cilin program në Llap e kishte sjellë Sheqë Mirofci) do të kërkojnë prej çdo të riu që të mos u përgjigjen ftesave të okupatorit dhe t’i marrin armët, masivisht e të futen në luftë për jetë të lire apo vdekje. Në shtabin e Ramë Vllasës ishte theksuar se sidomos gjatë qershorit, i tërë populli duhej të luftonte kundër reparteve të Regjimentit të 31-të të kombësorisë nga Njësia e Ohrit, e cila nuk kishte pushtet më tepër se sa përreth një ndërtese që e kishte uzurpuar në Podujevë, transmeton PodujevaPRESS.com

Gjatë majit dhe qershorit të vitit 1919 në tri qendra të Llapit po përgaditej kryengritja e përgjithshme antiserbe. Në të tri qendrat me strategjinë e luftës që do të bëhej prinin: Ramë Vllasa, Sahit Shajkovci, Sheqë Mirovci, Ramë Sahiti, Vëllezërit Bajçinovci, Mehmet Konjuhi dhe Dan Doroci, si I deleguar I shtabit të Azem Bejtës (Galica). Lidhur me këtë organizim, politika serbe, sipas të dhënave sekrete të kohës thuajse e kishte gjetur çelësin e tradhëtisë dhe nëpërmjet Beqir Vocës kishte organizuar tubim në formë debate në Odë të Hys Popovës, në pjesën e parë të qershorit 1919.

Në Kuvend ishte parapar të merrnin pjesë Hasan Prishtina, Nexhip Draga, Azem Bejta dhe Ramë Vllasa me shtabin e tij. Pa Hasan Prishtinën dhe Nexhip Dragën, Kuvendi kishte marrë vendim që të identifikohen çdo njeri që i afrohej kullës dhe të vërtetohej se për kënd punon. Në këtë tubim Azem Bejta duke e gjuajtur me fjalë Beqir Vocën (një bashkëpunëtor i Mbretërisë Serbo Kroate Sllovene) I thotë: “Ashtë dashtë more Beqir Voca ta marrish flamurin e Kralit, sepse për atë po na thrret ta ndigojmë.”

Beqiri i’a kthen: “Po ti, Azem, flamurin e Shqipnisë ku e kie? Në ato fjalë Azemi i drejtohet Mehmet Konjuhit: “Shpaloje flamurin Shqiptar, e ta sheh Beqiri se kish me dekë pa e pa.”Tubimi, me fjalë të tjera, kishte mbaruar pa kurrfarë marrëveshje. Dhe pasi që ishte larguar nga Kuvendi Beqir Voca me kërkesën me shkrim të Nexhip Dragës, ishte prolonguar derisa të bëheshin përgaditjet edhe në vise të tjera.

Pas kësaj situate, Ramë Vllasa fillojë përgaditjet për organizimin e një Kuvendi, që do të niste kryengritjen e armatosur për çlirim.

 

Si rezultat i bisedimeve dhe këshillimeve që ishin bërë në Popovë, Zhabar, Merçez, Shajkofc me Azem Bejtën kishte rënë propozimi që në nivel të tërë rajonit të Llapit të mbahej një këshillim ushtarako-politikë.

Në Kuvendin e Murgllës, siç del nga shënimet e tubuara në teren, kishin marrë pjesë të gjithë udhëheqësit e çetave shqiptare të Llapit dhe të disa territoreve që lidheshin imediativisht.

Mikpritës i Kuvendit ishte caktuar patrioti Ramë Sabedini. Nën udhëheqjen e Ramë Vllasës kuvendi kishte zgjatur tri ditë. Pas një debati të gjerë, aty ishin marrë vendime për të cilat opinioni i gjerë nuk dinte një kohë të gjatë. Në rendë të parë rezultat i Kuvendit ishte vendimi që çeta t’i koordinonte aksionet.

Aty ishin caktuar territoret se në cilat do të përqendroheshin çetat e Ramë Vlasës, Sahit Shajkofcit, Sahit Repës, Sheqë Mirovcit, Pardyzëve, Tahir Ukës, Osman Manit, Hoxhë Polatës, Çeta elite e Bajçinovcëve etj./PodujevaPRESS.com/

Bëje LIKE faqen PodujevaPRESS për tu njohur me lajmet e fundit nga Podujeva: KLIKO KËTU

© PodujevaPRESS. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

 

(Redaksia e portalit informativ PodujevaPRESS ka përmbledhur pjesë të shkrimeve për Kuvendin e Murgllës nga punime të ndryshme shkencore. Qëllimi i këtij shkrimi ishte të dalin në dritë informata dhe brezat e rinj llapjanë të din më shumë për veprat dhe jetët e kolosëve të kësaj treve, ndërsa foto në këtë shkrim është ilustrative pasi që mungonte një foto e atij momenti)