Asfalti e kanalizimi-projektet më të mëdha në komunën e Podujevës

0

Asfalti, kanalizimi e trotuaret kanë qenë projektet më të shumta në numër dhe më të kushtueshme që janë realizuar në gjashtëmujorin e dytë të vitit të kaluar në disa komuna të rajonit të Prishtinës.

Në Komunën e Podujevës janë diku 15 projekte që përfshijnë dhjetëra rrugë të fshatrave e që kanë përfunduar në gjashtëmujorin e dytë të 2019. Gjithsej rrugë të asfaltuara në këtë komunë në 2019 janë 52,840 m2 dhe 5,060m2 rrugë me kubëza që kanë përfunduar.

Përveç këtyre janë edhe disa projekte të asfaltimit që nuk janë përfunduar në 2019, por që vazhdojnë në 2020. Sipas zyrtarëve komunalë janë diku 12 projekte të ndërtimit të kanalizimeve dhe mirëmbajtjes së atyre ekzistues që janë punuar në gjysmën e dytë të vitit të kaluar, e që përfshijnë dhjetëra lagje të fshatrave të Podujevës. Në Podujevë në 2019 është punuar edhe në zgjerimin e lumenjve, ndërtimin e shtratit të lumit Llap, ndriçim publik.

Në pjesën e dytë të vitit 2019 është përfunduar ndërtimi i një shkolle në Llapashticë që kishte nisur në 2017 dhe po ashtu ka filluar ndërtimi i dy shkollave tjera, njëra në Metehi, e tjetra në Llaushë. Komuna e Podujevës gjatë vitit të kaluar i ka ndërtuar dy fusha sportive, ka ndarë subvencione për bujq, etj.