Askush nuk u interesua për objektin e dedikuar për pushimore në Podujevë

0

Asnjë ofertë nuk e ka pranuar Komuna e Podujevës për objektin që ishte paraparë për pushimore të fëmijëve jetimë në fshatin Orllan e që tashmë i është ndërruar destinimi.

Zyrtarët komunalë thonë se së shpejti do të rishpallin ofertën publike për të njëjtin objekt, që me vendim të ri mund të jepet për shërbime hoteliere ose rekreative-shëndetësore. Zëdhënësi Nazmi Elezi thotë se oferta paraprake është bërë në muajin shkurt, por që nuk kishte të interesuar, shkruan sot Koha Ditore.

“Komisioni për dhënien e pronës së paluajtshme në shfrytëzim më 13.2.2019 ka bërë ofertën publike për dhënie në shfrytëzim të objektit ‘ish-Pushimorja e fëmijëve’ në Orllan. Mirëpo, në afatin e paraparë për aplikim nuk është paraqitur asnjë ofertues”, ka thënë Nazmi Elezi.

Zëdhënësi i Komunës së Podujevës thotë se çmimi fillestar i qirasë mujore i përcaktuar nga Komuna për këtë objekt ka qenë 3.300 euro.

“Komisioni së shpejti do të shpallë ofertën publike për dhënien në shfrytëzim edhe të disa pronave komunale, ku do të dalë sërish edhe objekti ‘ish-Pushimorja e fëmijëve’ në Orllan, por do të shikohet mundësia që të ulet çmimi fillestar i qirasë për këtë objekt”, ka theksuar ai.

Në anën tjetër, drejtori ekzekutiv i organizatës “Sundimi i Demokracisë në Kosovë” (SDK), Rexhep Zeka, që është edhe banor i fshatit Orllan, ka thënë se mosbashkëpunimi ndërmjet institucioneve lokale dhe qendrore ka bërë që të largohen investitorët potencialë në Orllan/Koha Ditore