Cilësia e ajrit në Kosovë, alarmante – kërkohen masa urgjente

0

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në Kosovë kërkon nga autoritetet kompetente që të merren masa urgjente për përmirësimin e cilësisë së ajrit, që sipas tyre, ka arritur në nivele alarmante.

Nëpërmjet një komunikate për media, ekspertët e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, paralajmërojnë “se nëse nuk merren masa urgjente, do të ketë efekte negative në dëmtimin e shëndetit dhe rritjen e vdekshmërisë nga të gjitha shkaqet e sidomos nga sëmundjet kardiovaskulare dhe respiratore”.

“Bazuar në matjet e realizuara nga Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës, dhe nga analiza e rezultateve të fituara nga monitorimi automatik i cilësisë së ajrit nga stacionet matëse në Prishtinë, edhe gjatë dy ditëve të fundit, janë regjistruar tejkalime të vlerave kufitare ditore me PM10. Vlera ditore maksimale e regjistruar për datën 08.12.2016, ishte 46.8µg/m3”, thuhet në komunikatën për media./PodujevaPRESS/