Dënim i rëndë për tifozin që ndërpreu ndeshjen Itali-Shqipëri

0

Incidentet e ndeshjes mes Italisë dhe Shqipërisë nuk do të kalojnë pa pasoja dhe kjo është më se e qartë.

Në pritje të vendimit të FIFA-s për ndëshkimin me gjobë ndaj FSHF dhe atë thuajse të sigurt disiplinor ndaj tifozerisë kuqezi, Kuestura e Palermos ka dhënë vendimet e saj për tifozin e arrestuar në stadium për hedhje fishekzjarrësh.

Tifozi ishte pjesë e grupit që hodhi fishekzjarrë në “Renzo Barbera” duke shkaktuar ndërprerjen e ndeshjes dhe është arrestuar falë identifikimit nëpërmjet pamjeve filmike të kamerave të stadiumit. Kuestura e Palermos ka dhënë paraprakisht për të masën e përjashtimit nga të gjitha ambientet ku zhvillohen aktivitetet sportive në territorin italian për tre vitet e ardhshme.

Ndërkaq, po për këtë ndeshje, janë ndëshkuar edhe katër tifozë të tjerë, shtetas italianë, të cilëve do u mohohet për dy vite hyrja në ambientet sportive. Arsyeja? Kishin kaluar rrethimin me synimin për të ndjekur ndeshjen pa biletë.