Dështimi i dytë i demarkacionit në Parlament çon vendin në zgjedhje

0

Nëse deputetët dështojnë për herë të dytë ta ratifikojnë demarkacionin me Malin e Zi, gjasat janë të mëdha që vendi menjëherë të shkojë në zgjedhje të reja. Zyrtarë të PDK’së kanë thënë se s’ka më arsye vazhdimi i koalicionit nëse dështohet në një proces të tillë. Ndërkohë, në LDK kanë thënë se dështimi i demarkacionit s’duhet ta çojë vendin në zgjedhje

Dështimi për të votuar në Parlament marrëveshjen për shënimin e vijës kufitare me Malin e Zi do ta çojë vendin në zgjedhje.

Zyrtarë të PDK’së kanë thënë për Express se në momentin që dështon për herë të dytë votimi i demarkacionit me Malin e Zi, atëherë, s’ka më asnjë arsye për vazhdimin e koalicionit me LDK’në,

“Nëse s’mund të kalojmë demarkacionin që është bërë bllokadë për liberalizimin e vizave duhet gjendet një zgjidhje tjetër. Duhet shkruar në zgjedhje të reja”, ka thënë njëri prej Nënkryetarëve të PDK’së, pa dashur t’i përmendet emri.

Demarkacioni kishte dështuar kur ishte dërguar për herë të parë për miratim në Parlament. Koalicioni s’i kishte pasur votat, pasi as Lista Srpska, s’kishte marrë pjesë në Kuvend.

Është paralajmëruar se deri në fund të këtij muaji përsëri do të dalë për votim shënimi i vijës kufitare me Malin e Zi, proces ky që është kundërshtuar nga AAK, Vetëvendosje dhe NISMA. Madje, janë mbajtur edhe protesta për të mos lejuar votimin e këtij dokumenti me arsyetimin se Kosova i ka dhënë territor Malit të Zi.

Sidoqoftë, Nënkryetari i LDK’së, Lutfi Haziri ka thënë për Express, se koalicioni me PDK’në s’është bërë për demarkacion dhe as nuk prishet për këtë çështje. Megjithëkëtë, ai ka thënë se Partia e udhëhequr prej Isa Mustafës është e gatshme edhe për procese të jashtëzakonshme zgjedhore.

“S’kemi lidhur koalicion për shkak të demarkacionit, por për shkak të programit. Demarkacioni ka qenë njëra prej pikave. Demarkacioni s’mund ta çojë vendin në zgjedhje”, ka thënë Haziri, për Express, të shtunën.

“Ne i përmbahemi kalendarit zgjedhor”, ka thënë Haziri, kur është pyetur për mundësinë e zgjedhjeve të reja.

Pavarësisht se është përmendur se mund t’i prije LDK’së në zgjedhjet e reja, Haziri thotë se Kryeministri Mustafa do të vazhdojë të mbetet prijës. Ka thënë se nuk e ndërrojnë Kryetarin për shkak të ndonjë procesi të shpejt zgjedhor.

“Normal, e kemi Kryetarin në detyrë. Nuk e ndërrojmë Kryetarin për shkak të zgjedhjeve”, ka shtuar ai.

Haziri ka deklaruar se secili lider në Kosovë synimin e ka të bëhet Kryeministër dhe s’ka asnjë arsye për ndërrim lideri kur Kryetari i LDK’së është në pozitën më të rëndësishme në Shtet.

Në anën tjetër, ndërkombëtaret po vazhdojnë të mos e përkrahin idenë për zgjedhje të reja. Ambasadori amerikan në Kosovë, Greg Delawie, ka thënë se është ide e keqe mbajtja e zgjedhjeve të reja pa u përfunduar edhe disa çështje që janë të

 

“Është ide e keqe për të mbajtur zgjedhje veç pse nuk mund të mendoni çka tjetër të bëni”, ka thënë Delawie.

Ai ka thënë se udhëheqësit e zgjedhur duhet të merren me zgjidhjen e problemeve si papunësia, luftimi i korrupsionit, liritë fetare sesa me fushata zgjedhore.

“…më me dëshirë do t’i shihja politikanët dhe zyrtarët duke u marrë me këto çështje se sa të hyjnë në një vit të një periudhe të pacaktuar të etheve zgjedhore gjatë së cilës nuk arrihet shumëçka”, ka thënë ai në Rubikon të KTV-së.

Udhëheqësi i PDK’së, Kadri Veseli ka thënë se me marrëveshje mund të shkohet në zgjedhje të reja, ndërsa, udhëheqësit e Vetëvendosjes, AAK e NISMA’s kanë thënë se duhet shkuar sa më shpejt në zgjedhje të reja.

Aktualisht, një Komision i ri i formuar nga Qeveria e Kosovës, ka bërë matje të territorit dhe pritet të dalë me të gjeturat se a ka humbur apo jo tokë Kosova në demarkacionin me Malin e Zi. Kryetari i Komisionit është demokrafi Hivzi Islami.