Doli nga shtypi romani “Zëra në Lavjerrës”

0

Shtëpia Botuese “ProkultPress” ka njoftuar se ka dal nga shtypi romani “Zëra në Lavjerrës” i shkrimtarit të njohur korçar Kristaq Turtulli, transmeton portali PodujevaPRESS.com

Në njoftimin e shtëpisë botuese thuhet:

Për herë të parë në Kosovë prezentojmë shkrimtarin e mirënjohur korçar Kristaq Turtullin me romanin e tij të fundit: ZËRA NË LAVJERRËS

Në vazhdim po paraqesim recensionin e Elvi Sidheri – Krijues, përkthyes dhe analist nga Shqipëria.

Romani, ‘Zëra në Lavjerrës’ – Kristaq Turtulli

‘Zëra në Lavjerrës’, romani më i ri i shkrimtarit Kristaq Turtulli, libri i parë i Sagës është një shteg i ri në letrat shqipe, një zhvillim, hap i mëtejshëm në mënyrën e të shkruarit në gjuhën tonë, për ngjarje shqiptare e personazhe kaq të dritëhijshëm shqiptarë, në një univers kaq të gjallë e kuptimplotë, ku rrëfehen kaq ngjarje e kapërcehen kaq hapësira kohore, me një rrjedhshmëri të kthjellët, që mund të haset si rrallëherë, veç në ndërthurjen e zdritjes mendore dhe penës gjeniale të shkrimtarit që na dhuron këtë libër.

Një përvijim krejt shqiptar i një “Realizimi Magjik”, që kapërcen oqeanin, kontinentet e largësitë, dhe nga Amerika Latine arrin në trojet shqiptare dhe shndërrohet në një vegim të ri letrar që me plot bindje do ta kisha pagëzuar si një “Realizëm të Shajnitur”, një fanitje “Realizmi Ëndërrimtar Shqiptar”, ku realiteti mplekset, puqet e ringjizet me ëndrrën retroaktive, të ardhmen, të shkuarën e të tashmen e sendërtuar me një fjalor të epërm ku spikat shqipja e kulluar e përdorur mjeshtërisht nga autori. Me plot sukses na tregon se letrat shqipe mund të shpërfaqin me tërë rrëzëllitjen përkatëse që veç një roman krejt njësor si ky mund të ngërthejë, një larmi përmbajtësore, një vezullim gjuhësor, një prarim letrar që e vendosin krejt natyrshëm librin shqip, në nivelin më bashkëkohor të lëvrimit letrar në botën e qytetëruar.

Është një Sagë që si ta keni lexuar, do t’ju lartësojë kulturalisht, një përvojë e pashlyeshme në letërsi.