Dosja e Prokurorisë: Si i avulluan fondet e tre përqindëshit

0

Shumë qytetarë të Kosovës, të cilët punonin në shtetet perëndimore, kishin kontribuar me mjete monetare në Fondin e 3%, fond që synonte organizimin e jetës institucionale në Kosovë në vitet 1990.

Secili qytetar i Kosovës në diasporë kishte kontribuar në Fondin e 3% me aq sa kishte mundësi.

Këto mjete ishin menaxhuar nga Bujar Bukoshi, i cili ishte kryeministër i Qeverisë së Republikës së Kosovës në ekzil.

Pas luftës, në vitin 2000, një pjesë e këtij fondi ishte orientuar në organizatën UFORK, e cila merrej me çështje të rindërtimit.

Mirëpo, Prokuroria Speciale e Kosovës po pretendon se një pjesë e këtyre mjeteve ishin keqpërdorur.

Për këto keqpërdorime, Prokuroria Speciale po akuzon ish-kryeministrin Bukoshi, deputetin aktual të Kuvendit të Kosovës nga radhët e LDK-së, Naser Osmanin dhe ish-arkëtarin e “UFORK”, Atdhe Gashin.

Ata po akuzohen se gjatë vitit 2006 deri më 2015, i kanë marrë për vete paratë të cilat u ishin besuar nga qytetarët e Kosovës dhe vendeve të tjera të cilët kishin kontribuar në Fondin e 3 %.

Sipas Prokurorisë Speciale ata kanë tërhequr shumën prej 154 mijë euro nga xhirollogaria e UFORK-ut, dhe nuk i kanë arsyetuar se për çfarë qëllimi i kanë tërhequr.

Me këto veprime ata akuzohen që së bashku e kanë keqpërdorur pozitën e tyre.

Ish-kryeministri Bukoshi po akuzohet edhe për një tjetër rast.

Sipas Prokurorisë ai gjatë viteve 2008 – 2015, ka marrë për vete edhe 90 mijë euro nga Fondi i 3%.

Sipas aktakuzës, Bukoshi kishte tërhequr shumën e mbi 90 mijë eurove me para në dorë dhe nuk e ka arsyetuar se për çfarë qëllime i ka shfrytëzuar, me këtë rast e ka dëmtuar buxhetin e Fondit 3%.

Bukoshi, Osmani dhe Gashi përpos shpërdorimit po akuzohen edhe për shmangie tatimore pasi nuk i kanë deklaruar të ardhurat e fituara përmes transaksioneve në emër të pagave të cilat kanë qenë të detyruar t’i deklarojnë.

Ish-kryeministri Bujar Bukoshi në deklaratën e dhënë në Polici kur është pyetur lidhur me tërheqjen e shumës prej 103 mijë euro, ka deklaruar se kanë qenë të argumentuara në dokumentacionin e Fondit dhe se do t’i sillte nëse nuk janë djegur.

Historia e Gjykimit :

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës me 28 prill 2017 kishte ngritur aktakuzë për keqpërdorim të Fondit 3%, kundër Bujar Bukoshit, Naser Osmanit dhe Atdhe Gashit.

Pasi ishte pranuar në Gjykatën Themelore të Prishtinës, kjo lëndë i ishte ndarë në punë gjyqtares Albina Shabani – Rama e cila më datë 23 maj 2018 kishte mbajtur shqyrtimin fillestar dhe me propozimin e palëve në procedurë ka marrë aktvendim dhe ka veçuar procedurën penale kundër të akuzuarit Bujar Bukoshi me arsyetimin se i njëjti ka qenë i sëmurë dhe nuk ka mundur të paraqitet në seancën fillestare, ndërsa seanca fillestare ka vazhduar kundër të akuzuarve Naser Osmani dhe Atdhe Gashi.

Rreth pesë muaj pasi ishte mbajtur seanca fillestare e rastit, më datë 26 tetor 2018 ndaj të akuzuarve Naser Osmani dhe Atdhe Gashi është mbajtur shqyrtimi i dytë ku nga të akuzuarit dhe mbrojtësit e tyre është kërkuar hedhja e aktakuzës.

Këto kërkesa për hedhje të aktakuzës ishin refuzuar më datë 3 dhjetor 2018 ndërsa ndaj këtij vendimi të Gjykatës Themelore është ushtruar ankesë në Gjykatën e Apelit

Instanca e dytë e drejtësisë në Kosovë më datë 17 janar 2019 me aktvendim ka refuzuar ankesat e mbrojtjes të parashtruara ndaj aktvendimit të Gjykatës Themelore dhe ka konfirmuar aktakuzën ndaj Naser Osmanit dhe Atdhe Gashit.

Një ditë pasi Gjykata e Apelit ka vendosur lidhje me këtë rast duke konfirmuar aktakuzën dhe kthyer çështjen në Themelore për gjykim, lënda i është ndarë gjyqtares Medie Bytyçi dhe ende nuk është caktuar data e vazhdimit të gjykimit.

KALLXO.com ka provuar të kontaktojë në lidhje me këtë çështje edhe njërin nga avokatët që ka mbrojtur dy prej të akuzuarve në procese tjera në të kaluarën por nuk ka pranuar përgjigje.