E kaluan pragun drejt qeverisë: AKR-NISMA marrin këtë vendim?

0

Koalicioni Nisma-AKR-PD të cilët arritën të kalojnë pragun zgjedhor pas rinumërimit të 1 mijë e 400 vendvotimeve dhe pas largimit nga rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve votat e ardhura nga Serbia, kanë thënë se janë të gatshëm të jenë pjesë e Qeverisë së re, dhe se nuk kanë vija të kuqe për asnjë parti.

Kështu ka thënë sekretari i Përgjithshëm i Aleancës Kosova e Re, Vesel Makolli për Telegrafin.

“Ne vazhdojmë të jemi në koalicion me Nismën dhe vazhdojmë bashkë. Ftesë zyrtare nuk kemi pasë por ne vazhdojmë të themi së jemi të gatshëm të kontribuojmë kur është në pyetje interesi shtetëror dhe të dalim nga kjo situatë, nuk kemi vija të kuqë për askënd, vijat e kuqe janë bërë demode”, ka pohuar ai.

Sekretari i përgjithshëm i AKR-së, Vesel Makolli

Në bazë të rezultateve përfundimtare të KQZ-së, koalicioni NISMA-AKR-PD ka siguruar tetë ulëse në Kuvendin e Kosovës.

Ndryshe, KQZ ka shpallur parti fituese të zgjedhjeve parlamentare Lëvizjen Vetëvendosje e cila ka marrë 29 ulëse në Kuvend. Kjo parti është duke vazhduar bisedimet me Lidhjen Demokratike të Kosovës drejt formimit të Qeverisë së Kosovës.

Pas shumë takimeve që kanë zhvilluar këto dy parti kanë arritur të harmonizojnë shumicën e programeve qeverisës, mirëpo së fundmi LVV dhe LDK kanë hasur në disa pengesa kur është diskutuar për ndarjen e posteve. Madje nga LVV kanë pohuar se LDK ka kushtëzuar marrëveshjen me postin e presidentit.