Gjunjëzimi i “Grupit të Agimit dhe Lutës” përballë Isa Mustafës – Drejt humbjes edhe të Kandidatit për Kryeministër!

0

Dy nga njerëzit më të fuqishëm të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri e Agim Veliu, me mbështetje edhe të Lutfi Zharkut, tashmë të njohur edhe si “Grupi Vela”, sot u dorëzuan përfundimisht përballë Isa Mustafës.

Edhe pse për muaj të tërë ishin përgatitur për ta marrë timonin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafës i janë dashur vetëm pak ditë për t’i mposhtur.

Taktika e Isa Mustafës, dhe lëvizja përmes kryetarëve të disa degëve, sidomos me mbështetjen e Gazmend Muhaxherit të Pejës, Imri Ahmetit të Lipjanit dhe Muharrem Sfarqës të Ferizajit, ua prishi krejt kalkulimet “Grupit të Agim Veliut e Lutfi Hazirit”.

Gazeta Blic ka marrë vesh se përkundër “Grupi Vela” kishin marrëveshje, ku kryetari i Podujevës- Agim Veliu do të zgjidhej kryetar partie e kryetari i Gjilanit- Lutfi Haziri do të ishte kandidat për kryeministër, presioni nga Muhaxheri, Sfarqa e Ahmeti, ka bërë që ata të tërhiqen.

“Haziri, Veliu e Zharku pretendonin se kishin 209 vota, ata ditën e premte kishin frikë që të garonin dhe janë tërhequr, duke i hapur kështu rrugë Isa Mustafës”, tha ky burim i Gazetës Blic.

Ndërkohë, sipas këtyre burimeve përkundër që “Grupi Vela” mendojnë që kanë marrëveshje me Isa Mustafën, dhe do ta kenë kandidatin për kryeministër, megjithatë ende nuk kanë asgjë të sigurtë.

“Ende nuk dihet asgjë. Edhe pse është përfolur se Lutfi Haziri mund të jetë kandidat për kryeministër, ende nuk ka asgjë të sigurt. Isa Mustafa, mund të bëjë kompromis ta ri për emrin e kandidatit për kryeministër”, tha ky burim. Edhe pse “Grupi Vela” janë të bindur se Haziri do të jetë kandidati për kryeministër, burimet e Gazetës thonë se si emër po përfolet edhe Vjosa Osmani.

“Isa Mustafa do ta shfrytëzojë frymën brenda partisë për Vjosa Osmanin, për ta nxjerr nga loja Lutfi Hazirin”, tha ky burim.

Në anën tjetër kryetari i rizgjedhur i LDK-së Isa Mustafa, pas përfundimit të Kuvendit zgjedhor tha se nuk ka nuk ka pasur vullnetin të kandidojë vetë, por ka dëgjuar vullnetin e shumicës.

“Ku kemi biseduar me bashkëpunëtorë kemi thënë se çdonjëri ka dëshirë që të garojë. Askush askujt nuk i ka thënë që të tërhiqet nga procesi. Nuk ka qenë vullnet i imi që ta marrë këtë rol por të tjerët kanë kërkuar dhe ma kanë besuar dhe unë e vlerësoj besimin e tyre”, ka deklaru Mustafa.

Ndërkaq numri dy i LDK-së Lutfi Haziri, i përfolur si kandidat i mundshëm i LDK-së për kryeministër si pjesë e marrëveshjes politike të arritur brenda kësaj partie, por Lutfi Haziri nuk ka dashur të komentojë këtë gjë.

“Prej sot e tutje, LDK-ja del me politika përgatitore për t’u përballë me zgjedhjet e jashtëzakonshme”, u shpreh ai./Gazeta Blic/