Incidenti me autobusin e Llapit, reagon KF Drenica (Foto)

0

Në takimin e djeshëm të Superligës, Llapi arriti ta mposhtë Drenicën në Skënderaj me rezultat solid, 2-0.

Kjo humbje duket se nuk iu ka pëlqyer aspak tifozëve të Drenicës, të cilët e kanë shfryer mllefin te autobusi i Llapit.

 

 

Në autobusin e skuadrës nga Podujeva, tifozët drenicas kanë shënuar fjalë banale me sprej, transmeton IndeksOnline.

Dhe sot, ka reaguar edhe Klubi Drenicas si dhe tifo-grupi zyrtar i Drenicës, ”Shqiponjat e Zeza”.

Klubi dhe tifozët në fjalë janë distancuar nga ky veprim duke thënë se shpresojnë që incidente të tilla të mos ndodhin më në Kosovë.

Ky është reagimi i KF. Drenica:

Reagim

Klubi i futbollit Drenica dënon ashpër sjelljet e pahijshme të disa individëve të caktuar të cilët pas përfundimit të ndeshjes shkaktuan një incident duke ‘shkruar’ me sprej autobusin e ekipit mysafir. Klubi distancohet nga këto veprime të individëve të caktuar të cilët nuk ia duan të mirën KF Drenicës dhe futbollit në pergjithësi. Ne si klub jemi munduar që të ndërmarrim masat e nevojshme dhe të duhura për organizimin sa më të mirë të ndeshjes dhe mikpritjen për ekipin mysafir të cilën besojmë që ia kemi arritur. I shprehim keqardhje skuadrës së Llapit për atë që ndodhi duke iu kërkuar falje për gjestin e disa personave
të cilët nuk ia duan të mirën klubit, siç e cekëm edhe më lartë. Ky veprim besojmë që nuk do t’i ndryshojë raportet mes dy klubeve.

Kryesia e KF Drenica
Skenderaj, 28.10.2018

Ky është reagimi i plotë i tifo-grupit, ”Shqiponjat e Zeza”:

”Kryesia e Tifozëve, ‘Shqiponjat e Zeza’ deshiron të sqarojë opinionin sportiv se veprimet e disa individëve dhe personave të papergjegjshëm pas duelit ndaj Llapit nuk janë veprime të bera nga pjestarë të tifozërisë tonë dhe se distancohemi nga ky veprim dhe cdolloj veprimi që është në dëm të klubit tonë KF Drenica por edhe futbollit në përgjithësi. Andaj shprehim indinjatën tonë për këto veprime të pahijshme dhe ndjejmë keqardhje për dëmtimin e autobusit të ekipit mysafir Llapi. Shpresojmë që veprime të tilla të mos përsëritën asnjëherë në futbollin kosovar.

Me Respekt,
Kryesia e Shqiponjave të Zeza”./IndeksOnline/