Ismet Beqiri: Votojmë demarkacionin, s’përkrahim zhbërjen e Speciales

0

LDK nuk e ka ndryshuar qëndrimin për shënjimin e vijës kufitare me Malin e Zi dhe as për Gjykatën Speciale. Deputetët e partisë së Isa Mustafës janë pro marrëveshjes me malazezët. Por, do të votojnë kundër zhbërjes së Gjykatës Speciale. Këto dy qëndrime i ka bërë të ditura Sekretari i Përgjithshëm i LDK’së, Ismet Beqiri.

Sekretari i Përgjithshëm i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ismet Beqiri ka dhënë një deklaratë për dy nga çështjet kryesore që e presin Kuvendin e Kosovës, ai thotë se asnjë deputetë i kësaj partie nuk e përkrah shfuqizimin e Gjykatës Speciale përderisa shprehet pro votimit të demarkacionit, shkruan Gazeta Express.

Deputetët e LDK-së nuk do të të jenë pro iniciativës së 43 deputetëve të Kuvendit të Kosovës të cilët më 26 dhjetor tentuan të shfuqizojnë Specialen. Për këtë dolën kundër ndërkombëtarët, madje ata thanë se ajo ishte nata më e rrezikshme për Kosovën që nga paslufta.

“Ne nuk e përkrahim një shfuqizim të tillë, cilido që thotë diçka tjetër,thjeshtë spekulon dhe fol të pavërteta,asnjë deputet i LDK-së nuk e përkrahë këtë shfuqizim të Gjykatës Speciale”, ka thënë për indeksonline Beqiri.

Por, ai thotë se janë për të votuar çështjen e demarkimit të kufirit me Malin e Zi.

“Jemi për Ratifikimin e Marrëveshjes për Demarkacionin me Malin e Zi”, ka thënë Ismet Beqiri.

Qëndrimet e kundërta të partnerëve të koalicionit qeverisës në Kosovë, lidhur me çështjen e Marrëveshjes për shënjimin e vijës kufitare me Malin e Zi, rrezikojnë qëndrueshmërinë e Qeverisë së Kosovës, të cilën e udhëheqë kryeministri Ramush Haradinaj. Njëra nga arsyet kryesore të rrëzimit të “Qeverisë Mustafa” ishte pikërisht kjo çështje.

Pasi tema më e përfolur në politikë mbetet demarkacioni, ish kryeministri, Isa Mustafa ka thënë se ka dështuar komisioni shtetëror për demarkacionin, pasi ata nuk do të mund të gjejnë asnjë argument për kufirin./Gazeta Express