Jo vetëm për nënën, projektligji për lehonat parasheh pushim edhe për babanë

0

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica ka lansuar sot në konsultime publike Projektligjin e Punës dhe Projektligjin për Pushimin e Lehonisë dhe Prindëror.

Sipas këtij projektligji, pushimi i lehonisë do të jetë 3 muaj me pagesë prej 70 për qind nga qeveria, kurse 6 muaj nga 50 për qind. Kjo nuk përfshin vetëm nënat, pasi që edhe babait do t’i lejohet pushimi i lehonisë pa pagesë.

 

 

Konsultimet do të zgjasin deri me datën 25 tetor, pastaj projektligji kompletohet me sugjerime dhe dërgohet në ekzekutiv.

Sipas ministrit ky diskutim është thirrur që të bëhet praktikë të hartojnë koncept dokumente që të hartohen plane të tilla – që para se të miratohen në qeveri, të diskutohen me shoqërinë civile, grupe të interesit e po ashtu edhe para mediave.

“Ajo çka duhet të ndaj me ju është se sot, në një vend pune ka shumë punëtorë që u cenohet e drejta të realizojnë punën e tyre si duhet, shumë raste lehonat mbesin edhe pa punë, të gjitha këto kanë qenë arsye qe viti 2018 të jetë vit i reformave”, tha Reçica.

Sipas Reçicës gjatë këtij viti janë duke trajtuar edhe reforma për personat me aftësi të kufizuara. Për këto projektligje ai tha se kanë marrë përvoja edhe nga vendet e zhvilluara që këto çështje të rregullohen.

“Ligji për marrëdhënien e punës me direktiva të BE-së synon të avancojë kushtet e punës”, shtoi Reçica tutje.

Ai nuk la pa përmendur edhe kontratat, ku tha se sipas projektligjit për marrëdhëniet e punës, parasheh që për 3 vjet vetëm dy herë mund të vazhdohet kontrata e punës.

Rikthe një koment

Ju lutem shkruani komentin!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu