Kadri Veseli: Për dy dekada është keqqeverisur Podujeva

0

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ka takuar sot strukturat e zgjedhura të degës së PDK-së në Podujevë, ku potencoi suksesin e procesit zgjedhor demokratik në këtë degë.

Kryeparlamentari Veseli i shoqëruar nga kryetari i degës së kësaj partie në këtë komunë Naim Fetahu, kanë folur para të pranishmëve për vizionin dhe rolin e PDK-së.

Pas procesit të brendshëm zgjedhor në këtë degë që fitues doli Naim Fetahu, që sot është shprehur i bindur se PDK-ja do ta thyejë bastionin e LDK-së në Podujevë në zgjedhjet e ardhshme.

Për procesin e brendshëm zgjedhor, në një fjalim rasti kreu i PDK-së, Kadri Veseli ka thënë se PDK ka treguar se si mund të zhvillohet një proces zgjedhor. Veseli përpara llapjanëve ka shtuar se tani pas dy dekadave të lirisë së Kosovës, nuk guxohet të mendohet për dilema të shtetit.

Duke folur për vizionin dhe rolin e PDK-së dhe Dekadës së Re, Veseli ka shtuar se pavarësisht se nuk fituar, PDK-ja ka bërë për Podujevën.

“Kemi obligim t’iu japim mundësi qytetarëve të Podujevës dhe të Kosovës që edhe ata të jenë kontribut dhënës. Prioritet i yni mbetet anëtarësimi në BE, pavarësisht se po ndodhin padrejtësi ndaj Kosovës, por ne nuk duhet të ftohemi nga Bashkimi Evropian se ne i takojmë Evropës. Duhet të punojmë më shumë, që Kosovën duhet ta bëjmë një mundësi për të jetuar, e këtë ka mundësi ta bëjë PDK-ja. Ky është besimi që ne kërkojmë nga qytetarët e Podujevës që të jen më të fuqishëm në konceptin e partisë tonë. PDK s’ka pasur mundësi që ta udhëheqë Podujevën asnjëherë deri më tani, por PDK-ja ka bërë Podujevën gjatë këtyre dekadave”, ka deklaruar ai.

“Shumicën e këtyre investimeve kapitale që kanë ndodhur në Komunën e Podujevës janë qeverisjes së PDK-së, shumica absolute e tyre. Së bashku të punojmë më shumë për qytetarët tanë dhe t’i afrojmë ata afër vetës. Mos të lejojmë që njerëzit e mirë, njerëzit që kanë mundësi t’i japin më shumë Podujevës dhe Kosovës të kalojnë nëpër koncepte tjera të partive, e pastaj t’i zhgënjejnë ata. E keni parë në zgjedhjet e kaluara si i kanë zhgënjyer ajo partia që ka fituar bukur shumë Podujevës, kjo që e qeverisë tani shikoni Lidhjen Demokratike të Kosovës”, ka potencuar Veseli.

“Kështu nuk duhet të jetë në zgjedhjet tjera. Ky duhet të jetë ndryshimi që duhet të ndodh në Podujevë, se edhe me i bë bashkë partitë tjera se nuk mund të bëjnë më shumë se sa PDK-ja për Llapin. Duhet të punojmë që ta fitojmë atë, e jo ta marrin koncepte tjera politike që po i zhgënjejnë llapjanët siç janë duke i zhgënjyer për rreth dy dekada. Kur ju jeni të bashkuar keni me e fituar edhe Komunën e Podujevës, e edhe në nivel nacional do të fitojë Partia Demokratike e Kosovës”, është shprehur i pari i kësaj partie.

Kreu i PDK-së duke folur për gjendjen në të cilën tani ndodhet Podujeva, ka thënë se nuk ta pranojë faktin që Podujeva është lënë në dorë të dikujt, që sipas tij, ka keqqeverisur për dy dekada.

“Unë si kryetar i PDK-së do t’i përkrahi fuqishëm të rinjtë dhe të rejat e Kosovës, do i përkrahë çdo individ që ka dëshirë, synim e qëllim që në këtë vend mund të jetohet më mirë. Do t’i përkrahim ndërmarrësit e ri, fermerët, intelektualët, mjekët dhe të gjitha kategoritë që mund të japin kontribut dhe zhvillim. Do ta përkrahi çdo koncept që e çon përpara jo vetëm PDK-në, por për një Llap e cila është ma ndryshe. Nuk mund ta pranoj faktin dhe nuk do të pajtohem me gjithë ata që për dy dekada janë lënë Llapin dikujt që e keq-qeverisë, dikujt i cili e keqpërdorë pushtetin në Podujevë. Do të bëjë çdo gjë për ta përkrahur degën e PDK-së në Llap, në mënyrë që kjo parti ta merr fuqinë dhe autoritetin elektoral që të udhëheqë Llapin”, ka përfunduar fjalimin Veseli.