Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” njoftim me rëndësi për konsumatorët nga Podujeva

0

Kompania Rajonale e Ujësjellësit ,, Prishtina ,, sh.a. (KRUP) përmes një njoftimi ua bën me dije të gjithë konsumatorëvenë zonën e shërbimit, Prishtinë, Fushë-Kosovë, Lipjan, Podujevë, Obiliq, Shtime, Drenas dhe Graçanicë se aksioni për shkyçjen individuale të konsumatorëve borxhlinj, nga shërbimet e rrjetit të ujësjellësit dhe kanalizimit për shkak të mospagesave ndaj shërbimeve të ujit dhe kanalizimit, është duke vazhduar me intensitet të lartë si në qendra të qyteteve ashtu edhe në fshatra.

Shkyçjet individuale për konsumatorët borxhlinj kanë filluar në janar të këtij viti e janë duke vazhduar ende.

Paralajmërojmë konsumatorët borxhlinj ndaj shërbimeve të ujësjellësit dhe kanalizimit se kanë obligim ligjor që të paguajnë faturat dhe borxhin e akumuluar, thuhet në njoftim.

Që nga muaji prill 2019, KRU”Prishtina” sh.a. ka formuar komision të veçantë për verifikimin, përpunimin dhe procesimin e lëndëve të konsumatorëve borxhlinj ndaj shërbimeve të ujësjellësit dhe kanalizimit te përmbaruesit privatë.

Vetëm ditën e djeshme, më 2 korrik, janë dërguar rreth 2000 lëndë te përmbaruesit dhe pritet që edhe 2300 lëndë të tjera të dërgohen javën e ardhshme.

Lëndët që po përgatiten dhe dërgohen te përmbaruesit janë lëndë të konsumatorëve që kanë obligime të pashlyera ndaj shërbimeve të ujit e kanalizimit dhe njëkohësisht edhe lëndët e konsumatorëve që kanë përfituar nga Ligji për Faljen e Borxheve Publike dhe të cilët nuk iu janë përmbajtur marrëveshjes kontraktuale, pavarësisht thirrjeve të shumta në forma të ndryshme, që u ka bërë Departamenti për Konsumatorë i KRU ”Prishtina”sh.a.

Ua kujtojmë se, borxhi total ndaj shërbimeve të ujësjellësit dhe kanalizimit është mbi 40 milionë euro derisa, nga Ligji për faljen e borxheve publike kanë përfituar mbi 52 mijë konsumatorë, ku një pjesë e konsiderueshme e tyre nuk iu janë përmbajtur kontratës së nënshkruar nga të dyja palët.

Ujësjellësi i Prishtinës, me të gjitha kapacitetet trajtuese dhe mundësitë e gjera teknike që ka, është duke bërë shpërndarje të barabartë të ujit të pijshëm te të gjithë konsumatorët si çdoherë, pa dallim.

Uji i pijshëm ka filluar të keqpërdoret nga qytetarë të pandërgjegjshëm në mënyrë enorme dhe këtë po e dëshmon më së miri rënia e nivelit të ujit në liqene akumuluese sipërfaqësore, nëntokësore si dhe rënie e shpejtë e nivelit të ujit në rezervuarë të menaxhuar nga Kompania Rajonale e Ujësjellësit “ Prishtina” sh.a.

U bëjmë thirrje inspeksioneve të kuvendeve komunale që urgjentisht të nxjerrin apo edhe ripërtërijnë Urdhëresën Administrative për parandalimin e keqpërdorimeve të ujit të pijshëm, në të cilën urdhëresë do të përcaktoheshin gjobat për keqpërdoruesit fizik dhe juridik të ujit të pijshëm, të zënë në flagrancë.

Lidhur me këtë, nga dita e nesërme KRU” Prishtina’’ ka marrë vendim që grupe inspektorësh do të patrullojnë përgjatë gjithë ditës dhe natës në gjetjen e keqpërdoruesve të ujit, jo vetëm në Prishtinë, por në të gjitha njësitë operative në qytete e në fshatra, e më pas, ndaj tyre do të ndërmerren masa ndëshkuese konform ligjeve në fuqi./koha.net/