Komplikohet rasti i veteranëve

0

Gjykata ia kthen aktakuzën Prokurorisë Speciale, për përmirësim dhe qartësim, raporton T7

Prokuroria Speciale edhe një herë do të merret me aktakuzën kundër, zyrtarëve të Komisionit për Verifikimin e Statusit të Veteranit të Luftës.

Kështu as seanca fillestare në rastin ku të akuzuar janë, Agim Ceku, Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaha, Shkumbin Demalija, Qelë Gashi, Shkuri Buja, Ahmet Daku, Rrustem Berisha, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj e Xhavit Jashari nuk do të mbahet.

Kjo për arsye se Gjykata Themelore në Prishtinë, ia ka kthyer për përmirësim aktakuzën Prokurorisë Speciale.

Pas vlerësimit të Kryetares së Trupit Gjykues e cila është ngarkuar me lëndën, është vendosur që aktakuza në fjalë ti kthehet në përmirësim dhe qartësim Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, për shkak se e njëjta nuk është përpiluar konfrom nenit 241 paragrafi 1 pika 1.4 të KPP-së”.

Bile është anuluar edhe seanca dëgjimore, që e ka kërkuar Prokuroria, për ndalimin e pagesës për veteranët që pretendohet se janë pa të drejtë në lista të veteranëve.

Krejt kjo sipas Gjykatës, ka ndodhur për një arsye.

“Arsyeja e kthimit të aktakuzës sipas Kryetares së Trupit Gjykues vije për shkak se dispozitivi i aktakuzës në pjesën e përshkrimit faktik të veprës penale është konfuz dhe si i tillë nuk lejon mundësimin e procedimit të drejtë pa zvarritje e pengesa të shumta të këtij procesi”.

Aktakuza kundër këtyre 12 personave është ngrit me 14 shtator nga ana e Prokurorisë Speciale.

Ndërsa menjëherë pas saj, shpërtheu edhe reagimi i shumë personave të cilët thonë se kanë qenë me të vërtet pjesë e luftës, ndërsa emrat e tyre gjenden në listat e falsifikatorëve.

Bile, kjo aktakuzë u kundërshtua edhe me protesta nga Organizatat e Dala nga Lufta, në zonën e Dukagjinit.

Paraprakisht për të njëjtin rast, sistemi i drejtësisë u trondit kur prokurori i rastit Elez Blakaj dha dorëheqje, duke shkuar në Amerikë, e i cili pretendon se është kërcënuar dhe penguar në procesin e punës për këtë lëndë.