KTV: Stacionit Policor në Podujevë, i kanë mbetur vetëm dy vetura në dispozicion

0

Me kapacitete minimale teknike është duke operuar Policia e Kosovës. Shumicës së automjeteve të këtij institucioni, që është kompetent për të mbajtur rendin dhe sigurinë qytetare, u ka skaduar afati i sigurimit.

Qe një kohë Policia është duke u varur më shumë nga biçikletat. Por intervenimi me këto mjete në distanca të largëta e në terrene malore përveçqë kërkon kohë, ndonjëherë mund të jetë edhe i pamundur. E rastet si aksidentet, sulmet, vjedhjet e incidentet tjera mund të ndodhin kudo e kurdo. Rrjedhimisht shtetit të Kosovës i ka skaduar “siguria!”

Burime brenda Policisë kanë thënë se Stacionit Policor në Podujevë, që me territor kjo komunë llogaritet më e madhja në Kosovë, i kanë mbetur vetëm dy vetura në dispozicion. Të tjerat kanë mbetur pa sigurim e regjistrim. I njëjti burim tregon se shumë herë qytetarëve që kërkojnë ndihmën e Policisë u kërkohet të presin “derisa të shkojnë policët me biçikleta”, shkruan sot Koha Ditore.

Megjithatë, sipas tij, Podujeva (që i ka dy vetura në qarkullim) është shumë më mirë se komunat e tjera. Komandanti i Stacionit të Policisë në Podujevë, Bekim Zogiani, nuk ka dashur të flasë për vështirësitë që mund t’i kenë presje automjeteve të këtij institucioni u ka skaduar sigurimi. Ai ka kërkuar që për këtë çështje të kontaktohet Zyra për informim e Policisë. E zyrtarët e saj nuk kanë kthyer përgjigje në të gjitha pyetjet.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)