“Lëkundët” koalicioni, demarkacioni (s’e) rrëzon Qeverinë?

0

Një numër i deputetëve të Kuvendit të Kosovës, tashmë edhe publikisht kanë bërë të ditur se nuk do ta votojnë Demarkacionin, nëse vjen në Kuvend, mirëpo nga ana tjetër ka presione të vazhdueshme ka nga Bashkimi Evropian, që kjo çështje duhet të kryhet dhe të ecet përpara, sa i përket liberalizimit të vizave.

Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Federica Mogherini, me të vizituar Kosovën ditë më parë, ka thënë se: “Është koha e fundit që të ecim përpara. Është koha që të votoni demarkacionin me Malin e Zi. Kjo do e zhbllokojë liberalizimin e vizave për Kosovën. Ne jemi të gatshëm për këtë. I mbetet Parlamentit të vendos”. Por se a, do të thotë kjo që Demarkacioni të bëhet shkak për ndarjen e koalicionit, flasin deputetë dhe analistë të ndryshëm.

Pa “Listën Serbe”, nuk ka Demarkacion

25 minuta më parëMustafa e pranon: Dialogu me Serbinë po shkon vështirë

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Sadri Ferati i pyetur nga gazeta “Bota sot”, mendon se partneriteti nuk duhet me u lidh për një çështje të caktuar, sepse komplet programi qeverisës është i dakorduar dhe nuk ishte dashur tani rrugës në realizimin e këtij programi të merren shkase nga kjo apo ajo çështje.

“Sado që kjo është një çështje shumë e rëndësishme, dhe për të cilën çështje ,subjektet në parim pajtohen si LDK ashtu edhe PDK, pos kësaj disa individë, disa deputetë në këtë arsenal të grupit parlamentar nuk votojnë dhe nuk duhet me qenë tani përcaktuese për partneritetin”, u shpreh Ferati.

Nëse partnerët ulen e diskutojnë dhe shohin të mira nga ndërprerja e koalicionit është çështje tjetër, por sipas tij mosvotimi i demarkacionit nuk duhet ta ndërpres partneritetin LDK – PDK, për të vazhduar me qeverisë deri në mandat të rregullt.

I pyetur se a beson se do të shkojë çështja e demarkacionit në Kuvend, ai shprehet se, derisa nuk është kthyer Lista Serbe në Kuvend, nuk sheh ndonjë shpejtësi. “Por, sido që të jetë, do të vij në Kuvend, por për afate nuk mund të flas”, ka thënë Ferati.

Koalicioni nuk prishet për Demarkacionin

Edhe deputeti nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, PDK-së, Nait Hasani, mendon që koalicioni nuk do të prishet dhe Demarkacioni nuk duhet të vijë në Kuvend.

“Besoj se koalicioni nuk prishet për Demarkacion dhe se pari Demarkacioni nuk duhet të vij në Kuvend”, ka thënë Hasani. Por, ndryshe mendon deputeti tjetër i PDK-së, Bislim Zogaj, ku sipas tij çështja e demarkacionit nuk do duhet të ishte arsyeja për prishjen e koalicionit. Sipas të njëjtit, mosvotimi i demarkacionit do të duhet ta çonte vendin në zgjedhje. “Demarkacioni nuk do të duhet të ishte shkas për prishjen e koalicionit. Demarkacioni do të jetë problem që të shkojë në Kuvend, sepse përveç se tashmë dihet se disa vota nga koalicioni mungojnë dhe lista serbe nuk po merr pjesë në Kuvend, domosdoshmërish edhe pa votat e tyre do të ishte e pamundur të kalonte demarkacioni”, u shpreh Zogaj, për gazetë.

Koalicion i “elefantëve”

E analisti Driton Tali mendon, se demarkacioni siç po shihet ka përçarë koalicionin goxha. Se, a do të bie Qeveria atë nuk e di duke pasur parasysh të kaluarën jo të largët kur shumë deputetë publikisht deri në momentin e fundit deklaronin diçka tjetër, kurse votonin të kundërtën.

“Por edhe sikur të mos votohet demarkacioni nuk d.m.th. se patjetër do të bie Qeveria për faktin se këta qeveritarë janë shumë të “dashuruar në karriget” e tyre. Unë disa herë kam thënë dhe po e përsëris, se “a do te bie qeveria atë e din z Kadri Veseli i cili haptas ka shprehur ambiciet e tij për postin e kryeministrit””, u shpreh Tali për “Bota sot”.

Poashtu edhe analisti politik, Hidajet Ahmeti, lidhur me këtë çështje, gjykon se koalicioni i panatyrshëm dhe i zorit dikur i quajtur edhe si koalicion i “elefantëve”, ishte lidhur në mes dy subjekteve më të mëdha politike, në njërën anë vijën lineare të interesave reciproke për shtrirjen e rrjetës së tyre politike në institucionet publike, kurse në anën tjetër kishte pasur ndikim edhe presioni ndërkombëtarë për t’i çuar përpara disa procese të cilat dëmtojnë Republikën e Kosovës në substancë.

“Në shtetet në tranzicion, të cilët kanë demokraci të brishtë, qeveritë e koalicioneve nuk janë jetëgjata, kjo është dëshmuar edhe në Kosovë. Mbi të gjitha Kosova ka sistem parlamentar dhe asnjëherë nuk ka mundur që një koalicion të përfundoj mandatin kushtetues e ligjor. Kurse tash për këtë koalicion është një realitet krejt ndryshe, ka numrat në Kuvend dhe nuk mund të kalojë projekte të tilla siç është Demarkacioni. Realisht, po bëhet fjalë për një koalicion jofunksional dhe gjykoj, se është e domosdoshme dhe mëse e nevojshme që të shkohet në zgjedhje të parakohshme parlamentare”, ka thënë Ahmeti.

Sipas tij nuk mund të vendoset Demarkacionin si arsye e shkuarjes në zgjedhje, por ka shumë procese të rëndësishme për Kosovën që kanë ngecur, edhe pse partneret e koalicionit e veçanërisht PDK-ja mund ta përdor si pretekst demarkacionin.

Ai vlerëson, se me një koalicion të përfaqësuar nga dy subjektet më të mëdha politike dhe duke pasur numrat e nevojshëm në Kuvend, që është garanci e stabilitetit të një qeverie, dhe mos mund të kaloj projekte të tilla, pa dashur të paragjykojmë “vartësinë” e fakteve të ekspertëve për demarkacionin, është imperativ të shkohet në zgjedhje të parakohshme.

“Është shumë demokratike dhe normale për një shtet siç është Kosova, që nëse një qeveri e koalicionit nuk funksionin karshi interesave qytetare, duhet të reflektoj ëme zgjedhje, për të matur vullnetin qytetarë dhe rrjedhimisht për ta hapur rrugën integruese dhe të konsolidimit të shtetësisë”, përfundon Ahmeti. /Gazeta Blic/