Llapi anulon udhëtimin për në Turqi, fazën përgatitore do ta zhvillojnë në këtë vend

0

Skuadra e Llapit ka filluar stërvitjet në stadiumin “Zahir Pajaziti” nën drejtimin e kryetrajnerit, Djengis Redjepi.

Llapjanët kanë startuar përgatitjet për fazën e dytë të stinorit dhe në stërvitje kanë marrë pjesë edhe transferimet e reja të skuadrës, shkruan GazetaBlic.

Ditë më parë ishte raportuar se skuadra nga Podujeva do të udhëtonte në Turqi për të kryer fazën përgatitore, por një gjë e tillë nuk do të ndodhë – kjo pasi trajneri i ri i klubit, Djengis Redjepi nuk ishte i pajtimit që skuadra të ndërrojë klimën në këtë kohë.

Drejtori ekzekutiv i klubit të Llapit, Tahir Batatina në një prononcim për ‘GazetaBlic‘ ka folur për trajnerin e ri, fazën përgatitore dhe merkaton.

Fillimi i stërvitjeve:

“Lojtarët janë rikthyer të gjithë – asnjë lojtarë nuk është i lënduar. Ka filluar faza përgatitore. Tashmë janë zhvilluar dy seanca stërvitore, ku është punuar në aspektin fizik. Momentalisht jemi duke kryer stërvitjet në stadiumin ‘Zahir Pajaziti’, ndërsa fazën e dytë do ta përfundojmë jashtë vendit”, tha fillimisht Tahir Batatina.

Faza përgatitore:

“Trajneri ynë i ri ka vendosur që të mos udhëtojmë në Turqi – pasi po mendon që më mirë është të qëndrojmë afër dhe të mos ndryshojmë klimë. Trajneri ka vlerësuar se faza përgatitore duhet të kryhet në Shqipëri – ku edhe mund të ballafaqohemi me klube të nivelit tonë. Ne kemi rënë dakord që kjo fazë të përfundojë në Shqipëri, në hotelin ‘Bonita’. Ne kemi kontaktuar me KF Skënderbeun, Teutën dhe Partizanin dhe mund të ndeshemi me këto skuadra gjatë fazës së dytë përgatitore”, vazhdoi Batatina.

Merkato:

“Largime më nuk do të ketë nga Llapi. Pritet që në të ardhmen të kompletojmë edhe dy transferime dhe ta mbyllim merkaton, pasi nuk kemi nevojë për shumë transferime, për shkak se ekipi është i komponuar”, përfundoi Batatina.

 

Rikthe një koment

Ju lutem shkruani komentin!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu