Lutfi Haziri: Taksa mori dy qeveri, duhet plotësuar kërkesat e SHBA’së

0

Nënkryetari i LDK-së Lutfi Haziri, ka komentuar zhvillimet e ditës së mbrëmshme duke thënë se dita e djeshme ishte një ditë e rëndë për Kosovën.

Sipas tij rezultoi se mos heqja e taksës ashtu siç po kërkon SHBA-ja, mori me vete qeverinë e dytë, atë të kryeministrit Albin Kurti, e cila dje me 82 vota u rrëzua nga deputetët e Kuvendit të Kosovës, pas mocionit të mosbesimit të iniciuar nga LDK-ja.

Ai ka thënë se ministrat e LDK-së do të vazhdojnë të kryejnë detyrat e tyre konform përgjegjësisë që kanë.

“Ne do të vazhdojnë me punu në kapacitet të plota në këtë luftë të panjohur me parandalu përhapjen me ruajt shëndetin publik, me rujt shëndetit e njerëzve dhe mos me leju që kjo pakënaqësi me qenë primare në jetën tonë.Ne sot duhet të jemi në fron me Coronavirusin si kërcënim i njerëzimit dhe shëndetit publik”, tha Haziri në televizionin publik të Kosovës.

Haziri ka folur edhe për mundësitë që tani vihen në pyetje kur Qeveria është në detyrë. Ai ka porositur për unitet sado që kjo mund të duket tani e pashpresë.

“Mendoj që dita e 13 sot në gjendje të emergjencës, nuk na jep komoditetin veçse ne me vepru në përputhje me kushtetutën. Duhet një unitet sado që duket fragjil dhe i pashpresë në këtë situatë, duhet të jemi lojal ndaj qeverisë në detyrë, çdo rekomandim duhet t’i zbatojmë. Nuk guxojmë të lejojmë sjellje tjetër se ndryshe kthemi kundër vetvetes”, ka porositur Haziri, transmeton IO.

Ai ka thënë se qëndrimi i LDK-së karshi PDK-së, në rast të formimit të një qeverie teknike apo gjithëpërfshirëse, mbetet i njëjtë, se PDK duhet të qëndroj në opozitë.

“Qëndrimi i LDK është se nuk bëhemi me PDK-në nuk kemi asnjë bashkëpunim. Ata në çdo formulë eventuale, të një qeverie të tranzicionit, do të rrinë në opozitë, nëse zotëri Kurti nuk krijon një shumicë të re. Por LDK kujdesshëm ka me i vlerësua hapat”, tha Haziri.

Haziri nënvizoi se Kosova nuk po mundet të tejkaloj telashet e mëparshme në lidhje me dialogun dhe tarifën ndaj Serbisë, dhe se kjo i kushtoj vendit me rrëzimin e Qeverisë së dytë, pikërisht shkaku i tarifës.

“Ne nuk do të lejojmë një pozitë si e mbrëmshmja, të jemi në një udhëkryq. Zotëri Kurti komentoj edhe rolin e zotëri Grenell në prishjen e qeverisë. Ajo që mund të them është se tarifa i mori dy kryeministra, dy qeveri”, tha Haziri.

Ai ka thënë se Vjosa Osmani vazhdon të mbetet në pozitën e kryeparlamentares derisa të ketë ndonjë ndryshim tjetër.