Moti për 5 ditët e ardhshme

0

Ditëve në vijim mot kryesisht me diell, në mëngjes ngrica. Në fundjavë mot më i butë, mundësi për riga lokale shiu.

Zonat anticiklonike që po shtrihen mbi rajonin tonë, në ditët në vijim, do të favorizojnë mot kryesisht të kthjellët dhe me diell, derisa në aspektin termik mbetet mot i ftohtë, me tendencë të rritjes graduale të temperaturave maksimale. Në orët e mëngjesit do të ketë ngrica, e në vise të ulëta, ditën e premte edhe mjegull, paralajmëron Prishtina Weather.

Sipas shërbimit meteorologjik, “në fundjavë do të mbajë mot më i butë, kryesisht me vranësira, me mundësi për riga lokale shiu. Sipas parashikimeve të fundit nga mesi i javës së ardhshme, pritet depërtimi i një vorbulle ciklonike me masa të ftohta ajrore që mund të sjellin sërish të reshura bore.

“Vlerat e cilësisë së ajrit parashihet që të përkeqësohen, për shkak të motit më stabil dhe të qetë që do të mbizotëroj në ditët në vijim, që do të rrisë koncentrimin e ndotësve pranë sipërfaqes tokësore. Vlerat e indeksit të kualitetit të ajrit do të kalojnë edhe në të pashëndetshme”, bën të ditur PW.

Parashikimi për datat 5-9 dhjetor:

5.12 – Në mëngjes ngrica, pjesërisht vranët. Ditën kryesisht me diell.

6.12 – Kryesisht me diell. Në mëngjes ngrica, me mjegull në vise të ulëta, që vende-vende mund të mbetet edhe orëve të pasdites. Në mbrëmje mundësi për riga lokale shiu.

7.12-8.12 – Të shtunën, herët në mëngjes riga lokale shiu, vende-vende shi i akullt. Ditën më butë, me vranësira të ndryshueshme. Ditën e diel, butë, kryesisht me vranësira.

9.12 – Butë, kryesisht me vranësira dhe intervale me diell. Në mbrëmje priten reshje shiu.

Temperaturat e ajrit gradualisht do të rriten mbi vlera mesatare për këtë periudhë kohore. Minimalet do të luhaten nga -4C deri në +4C, në fundjavë, ndërsa maksimalet nga 5C deri në 11C.

Era do të fryjë e lehtë nga krahu jugor 1-4m/s.

Shtypja atmosferike do të mbetet mbi vlera normale, e deri në fillim të javës së ardhshme do të zbres nën këto vlera.