Mustafa ka frikë se do të shtyhet liberalizimi i vizave, akuzon Kryeministrin Haradinaj

0

Ish-kryeministri Isa Mustafa thotë se për vonimin e liberalizimit të vizave pushteti po provon t’i vë fajin opozitës, për ta arsyetuar vetën. Ai shkruan se të njëjtit që tani janë në pushtet bartin barrën më të madhe për mosliberalizimin e vizave.

Kreu i LDK’së, Isa Mustafa, thotë se kundërshtuesit e demarkacionit në vitin 2016 janë fajtorë që tashmë nuk ka ndodhur liberalizimi i vizave. Mustafa shkruan se të njëjtit tash janë në pushtet e po akuzojnë opozitën e tanishme për pengim të liberalizimit të vizave.

Shkrimi i plotë i Mustafës në Facebook:

Kur në vitin 2016 kërkonim të ratifikohet marrëveshja e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi, si kusht për liberalizim të vizave por edhe si instrument i sovranitetit shtetëror, këta që sot janë në pushtet e kundërshtonin dhe propagandonin rrejshëm se po humbim mbi 8000 hektar tokë. Me mashtrime dhe me politika populliste, atëherë humbëm shansin ta përmbyllim procesin e liberalizimit. Tani , në prag të zgjedhjeve për Parlamentin evropian, rreziku nga popullizmi i ka kaluar kufijtë e mashtrimeve dhe primitivizmit tonë. Ekziston frika reale se shtete të veçanta do të hezitojnë të përkrahin liberalizimin e vizave për Kosovën, duke u frikësuar nga popullistët, të djathtë e të majtë, në vendet e tyre, deri sa të përfundojë procesi i zgjedhjeve në institucionet e BE, epilogu i të cilave është vështirë të dihet.

Individët, që sot flasin se liberalizimi mund të shtyhet deri në vitin 2020, dhe që mundohen ta hedhin gurin te opozita,e dinë mirë se ku është problemi, por iu nevojitet një përbaltje e brendshme për ta arsyetuar veten. Pavarësisht nga kjo, Kosova duhet të bëjë përpjekje maksimale që qytetarët e saj të lirohen nga regjimi i vizave sa më shpejtë; të garantojmë se ky vend do të qeveriset mirë e pa korrupsion, se do ta zhvillojmë ekonominë e të hapim vende pune. Të mos ndjellim frikë se të rinjtë tanë do ta braktisin Kosovën e do ta marrin botën në sy. IM

 

Rikthe një koment

Ju lutem shkruani komentin!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu