Ndryshohet Ligji për Veteranët e UÇK-së?

0

Qeveria do të ndryshojë Ligjin për Pensionet e Veteranëve të UÇK-së, duke qenë se s’mund të përballojë pensionet e përmuajshme të 28,000 ish-luftëtarëve – më shumë nga sa ishte përllogaritur më parë, raporton gazetaexpress.

Kosova po rimendon si të reformojë skemën e pensioneve për veteranët e luftës për të trajtuar koston e lartë, pasi iu kërkua nga Fondi Monetar Ndërkombëtar ta trajtojë këtë problem, thanë për BIRN zyrtarët në Prishtinë.

Numri më i madh se sa pritej i veteranëve të certifikuar të luftës, së bashku me pagesat për personat me aftësi të kufizuara të shkaktuara gjatë luftës, është caktuar për ta rritur shpenzimin në nivele të paqëndrueshme, sipas FMN-së.

“Pa reforma, shpenzimi për skemat që kanë lidhje me luftën mund të arrijë në më shumë se 100 milionë euro në vit, që është dukshëm më shumë nga sa mund të përballojë Kosova”, tha FMN në një deklaratë në nëntor, pas diskutimeve në Prishtinë.

FMN-ja tha se Qeveria po planifikon të reformojë skemën e pensioneve, duke u përqendruar në riklasifikimin tashmë të certifikuar të veteranët të luftës në bazë të kontributeve të tyre të ndryshme gjatë luftës, si edhe rregullimin e përfitimeve të tyre në përputhje me rrethanat.

Bazuar në ligjin aktual për veteranët e luftës të UÇK-së, çdo veteran në listën e pensioneve paguhet me 170 euro në muaj.

Për të hartuar ndryshimet në ligjin për veteranët, qeveria ka ngritur një grup pune të përbërë nga përfaqësues të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, Ministria e Financave, zyra e Kryeministrit, Kuvendi i Kosovës, përfaqësues të shoqërisë civile dhe të organizatës së veteranëve të UÇK-së.

Sekretari i përgjithshëm në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Izedin Bytyqi, tha për BIRN se grupi i punës ka mbajtur tashmë seminarin e parë tre ditor.

“U propozuan ide dhe modele shumë interesante, siç është ligji kroat për veteranët. Këto ide do të përpunohen në ditët në vazhdim dhe do të kemi edhe seminare të tjera derisa të gjejmë një zgjidhje të pranueshme për veteranët dhe për buxhetin e Kosovës,” tha Bytyqi.

Ai tha se takimi i ardhshëm do të mbahet këtë javë dhe zyrtarët shpresojnë se procesi do të përfundojë sa më shpejt që është e mundur.

Hysni Ngucati, një përfaqësues i organizatës së veteranëve të UÇK-së, tha se ata që luftuan duhet të paguhen në bazë të kontributit të tyre.

“Nëse një veteran ka qenë në luftë për një ditë, ajo ditë duhet të kompensohet. Kështu që ne duam që kontributi të paguhet për çdo ditë që çdo veteran ka qenë në luftë,” tha Ngucati.

Organizata e veteranëve dëshiron që pagesat e pensioneve të vazhdojnë normalisht, ndërsa ndryshimet merren nën shqyrtim.

“Ne u kemi thënë zyrtarëve të qeverisë që nuk pranojmë që pensionet tona të ndalojnë, ndryshe ne do të duhet të dalim në rrugë. Dhe kjo nuk është ajo që duam, por do të duhet ta bëjmë, nëse ata vendosin kështu”, tha Ngucati.

Ka më shumë se 28,000 persona aktualisht të listuar se marrin pensione dhe pagesa të përmuajshme si veteranë.

Sipas legjislacionit të draft-buxhetit për vitin 2017, kostoja totale e skemës së pensioneve për veteranët e UÇK-së nuk mund të kalojë 38 milionë euro.