Njoftim me rëndësi nga Komuna e Podujevës, mbyllet për qarkullim rruga kryesore e qytetit

0

Komuna e Podujevës ka njoftuar se nga e hëna do të mbyllet një pjesë e rrugës kryesore të qytetit “Zahir Pajaziti” për shkak të punimeve aty. Ndërtimi në zgjerimin e kësaj rruge ka filluar vitin e kaluar me vendosjen e gypave të kanalizimit, kabllove të rrymës dhe sivjet gypi i ujësjellësit.

“Për shkak të zhvillimit të punimeve në ndërtimin dhe zgjerimin e Rrugës ‘Zahir Pajaziti’ në Podujevë, nga data 27.05.2019 (e hënë) do të mbyllet për qarkullim pjesa e kësaj rruge, që fillon nga udhëkryqi i rrugës magjistrale te Hotel ‘Besiana’ deri te udhëkryqi i rrugëve ‘Besnik Restelica’ dhe ‘Vëllezërit Frashëri’ (te marketi ‘Interex’)”, thuhet në njoftimin për media të Zyrës për informim të Komunës së Podujevës.

“Drejtoria për Planifikim Urban dhe Mbrojtje të Mjedisit e Komunës së Podujevës njofton qytetarët se për shkak të fillimit të fazave të reja të ndërtimit në Rrugën ‘Zahir Pajaziti’ në Podujevë, një segment i kësaj rruge nga e hëna (27.05.2019) do të mbyllet qarkullim të automjeteve deri në përfundimin e punimeve”.

Sipas zyrtarëve komunalë, gjatë kësaj faze të realizimit të këtij projekti në këtë segment rrugor do të bëhet largimi i shtresës ekzistuese të asfaltit, gërmimet deri në thellësinë e projektuar, gërmimi i kanaleve tërthore për instalimet e ndryshme, kyçjet tërthore individuale dhe të pusetave të ujëmbledhësve, ndërtimi i trotuarit dhe vendosja e shtresës së asfaltit.