OPINION: A kuptohen si duhet mesazhet e një debati politik në televizion?

0

Kemi hyrë edhe zyrtarisht në njëmujorin e fushatës elektorale të zgjedhjeve lokale në Kosovë, të cilat do të mbahen më 22 tetor.

Tani më kanë filluar të realizohen pothuajse çdo mbrëmje debatet televizive të kandidatëve për kryetar të komunave. Edhe pse në parim i cilësoj shumë të nevojshme këto debate, por nuk pajtohem me formën dhe përmbajtjen e tyre. Pavarësisht se kandidatët e secilës parti e kanë të drejtën demokratike të trajtohen në debat, por nuk e përkrah idenë e gjatësisë kohore të barabartë që ndahet për kandidatët e partive pjesëmarrëse.

Nuk mund të trajtohet i barabartë në kohë kandidati i një partie të madhe me një kandidat të një partie të vogël, partia e të cilit gjatë zgjedhjeve të kaluara nuk ka marrë asnjë vend në ulëset e Kuvendit të Komunës, po ashtu edhe kandidati për kryetar, partia e të cilit ka marr vota shumë simbolike.

Pjesëmarrja e të gjithë kandidatëve në një debat televiziv po bënë që koha në debate të jetë shumë e kufizuar. Ky kufizim kohe po krijon ngarkesa psikike tek kandidatët e partive të mëdha, pasi e kanë të pamundur të shpalosin gjithçka të rëndësishme që ata e konsiderojnë. Si rezultat i kësaj, ndodhë shpesh që kandidatët të ngatërrohen dhe mos ta arrijnë qëllimin t’i prezantojnë para qytetarëve qoftë edhe vlerat e veta të mirëfillta profesionale dhe intelektuale.

Në aspektin përmbajtjesor nuk pajtoj që brenda një debati televiziv të shfletohen programet, premtimet dhe zotimet e të gjitha fushave. Duhet të organizohen debate me kandidatë për tema të caktuara. Kjo u lë atyre kohë dhe hapësirë për përgatitje dhe rehati në artikulim dhe prezantim.

Rezultatet e një debati të tillë politik vërehen tek pasi të analizohet reagimi i opinionit publik.

Meqë debatet bëhen në interes të qytetarëve, e konsideroj me rëndësi faktin se si zbërthehen mesazhet e tyre.

Nga debatet e deritashme më bëri përshtypje debati me kandidatët për kryetar të komunës së Podujevës, në emisionin Jeta në Kosovë, të drejtuar nga gazetarja Jeta Xharra.

Debati ndodhi si ndodhi, u tha çka u tha. Kryetari aktual i komunës së Podujevës i dominonte të tjerët në aspektin e fuqisë së zërit, artikulimit, intonacionit dhe frekuencës së zërit, sepse kishte përvojë në ballafaqime të tilla, si dhe përvojë në paraqitje para kamerave televizive në raport me kundërkandidatët e tij. Kryetari Veliu dominonte po ashtu gjatë gjithë kohës me arrogancë kundrejt tjerëve. Arrogancën e tij e kombinonte me metafora nënçmuese, sidomos ndaj kandidatit të LVV-së, Ajet Potera, për të cilin debatet e formateve të tilla, si dhe paraqitja para kamerave televizive ishte një fillim në karrierën e tij politike.

Gjatë debatit u përmendën një mori të metash të keqqeverisjes, si nga drejtuesja e debatit, por edhe nga kundërkandidatët, ku kryetari aktual shumë çështje konkrete në vend se t’i arsyetonte me fakte, ai përdorte fjalitë tashmë klishe “Janë në procedura e sipër”. Debatin e përshkoi edhe një abuzim me të vërtetën nga ana e kryetarit aktual në rastin e rrugës që e lidhte fshatin Ballaban me territorin e komunës së Podujevës, e cila doli se i takonte kësaj të fundit, pastaj edhe rasti i mungesës së makinës private dhe përdorimit të asaj zyrtare jashtë orarit të punës. Të vërtetën rreth këtyre dy çështjeve e nxori drejtuesja e debatit.

Kryetari aktual arrinte ta ndërronte me mjeshtri kahen e debatit, në momentet kur drejtuesja Xharra apo ndonjëri nga kundërkandidatët i përmendnin defektet e keqqeverisjes. Ai i shpinte kundërkandidatët e tij në terrenin e debatit “dhëmbë për dhëmbë” për t’i ikur bisedës rreth keqqeverisjes eventuale gjatë mandatit të tij.

Pas përfundimit të transmetimit të debatit u ngjallën reagimet e qytetarëve. Dëgjoja biseda nëpër rrugë, kafene e sidomos nëpër rrjete sociale.

Ndër të tjera, një pjesë e qytetarëve nga deshifrimi i mesazhit të debatit, e merrnin si triumfues kryetarin aktual.

Në fakt ishte triumfues vetëm në aspektin e formës, ndërsa në aspektin përmbajtjesor humbës i madh.

 

Bazuar në reagimin e kësaj pjese qytetarësh dëshiroj të jap disa konstatime:

-Nuk mund të dal dikush triumfues e ta ketë votën hak nëse arrin t’i dominoj të tjerët me arrogancë e me fjalë nënçmuese.

-Nuk meritohet vota kur dikush në një debat arrin t’iu shmanget me mjeshtri kritikave nga ana e drejtueses së emisionit dhe kundërkandidatëve të tjerë.

 

Nuk mund të jetë përcaktues për votuesin një debat i tillë:

 

-Ku kryetari aktual nuk arriti në mënyrë të kënaqshme ta bëjë prezantimin e programit dhe zotimeve të tij në katër vitet e ardhshme.

-Ku as kandidatët e tjerë nuk e kishin mundësinë të shpalosnin më në detaje programet e tyre për qeverisje, por as prezantimin e denjë të kapaciteteve profesionale e intelektuale që kanë.

-Nuk mund të jetë një debat mohim i karrierës së begatë kombëtare, intelektuale të një individi, mohim i pastërtisë njerëzore dhe vlerave morale.

-Nuk mund të jetë debati amnisti për keqqeverisje dhe abuzimin eventual gjatë mandatit qeverisës.

 

Kam bindjen e thellë se ky debat nuk arriti ta shpërfaq as për së afërmi prezantimin e programeve dhe shpalosjen e vlerave të kandidatëve për kryetar të komunës së Podujevës, meqë ishte thjesht një debat me plot e përplot taktizime, akuza, kundër akuza e nënçmime.

Qytetari duhet të vlerësoj në heshtje e me qetësi për vlerat e secilit nga kandidatët për kryetar.

Fundja qeverisja e mirë nuk bëhet me fjalë, nuk bëhet as me taktizime, as me dominancë të arrogancës, por me programe konkrete, me një menaxhim të drejt nga njerëz që kanë një të kaluar të pastër, që posedojnë vlera njerëzore e morale, që kanë vullnet e guxim për t’i shërbyer qytetarit e jo për ta abuzuar paranë publike, pronën publike dhe resurset njerëzore profesionale. Qytetari duhet ta gjej njeriun e duhur që shërben dhe jo që sundon.

Nëse hyhet në detaje të analizës së një debati politik që ndodh këtu tek ne, përfshirë edhe disa pjesëmarrës që konsiderohen se posedojnë një oratori të përkryer lë shumë për të dëshiruar, sidomos në aspektin përmbajtjesor të debatit.

Po e përmbyll këtë shkrim me fjalët e ekspertit të Arteve të Komunikimit, e në veçanti të Artit të të Folurit Publik, Stephen E. Lucas:

 

“Të kesh në fokus audiencën, nuk do të thotë që të përdorësh çdo mjet për arritjen e qëllimit. Nuk duhet të bësh kompromise me parimet e tua, vetëm e vetëm për të arritur një reagim të favorshëm nga audienca. As të përdorësh taktika denigruese, jo etike për të arritur qëllimin tënd. Por sikur bëri edhe Obama, ti ke mundësinë  që edhe t’i qëndrosh besnik vetes, edhe të flasësh në mënyrë etike, edhe t’ua përshtatësh mesazhin nevojave të dëgjuesve të tu.”

Azem Osmani

24 shtator 2017

Rikthe një koment

Ju lutem shkruani komentin!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu