Partitë politike në Podujevë, ende s’kanë kandidat për kryetar

0

Partitë politike, të cilat do të marrin pjesë në zgjedhjet e parakohshme në Komunën e Podujevës kanë kohë edhe 5 ditë që të certifikohen, shkruan IndeksOnline.

Por siç duket subjekteve politike nuk po u ngutet për të dërguar emrin e kandidatit të tyre për kryetar.

Zëdhënësi i Komisioni Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, për IndeksOnlinen, ka thënë se ende nuk kanë pranuar ndonjë aplikim të subjekteve politike për të marë pjesë në zgjedhjet e 15 marsit.

“Deri tani nuk kemi pranuar akoma ndonjë aplikim të ndonjë subjekti politik për t’u certifikuar për të marrë pjesë në këto zgjedhje.

Sipas afateve të përcaktuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, afati për aplikim për t’u certifikuar për pjesëmarrje në këto zgjedhje përfundon më 17 shkurt. Pra, deri në këtë datë subjektet politike (partitë politike, koalicionet, kandidatët e pavarur dhe iniciativat qytetare) duhet të paraqesin aplikimin edhe emrin e kandidatit të tyre për kryetar të komunës”, ka thënë ai.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të Komunës së Podujevës, do të mbahen më 15 mars. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka miratuar planin e buxhetit për këto zgjedhje.

Këto zgjedhje u organizuan si shkas i dorëheqjes së kryetarit Agim Veliu, pas emërimit si ministër i Punëve të Brendshme të Kosovës./IndeksOnline/