Pezullohet për dy javë greva e transportuesve llapjanë

0

Greva e kompanive të transportuesve të udhëtarëve të linjës Podujevë-Prishtinë, e nisur të hënën, është pezulluar për dy javë ditë.

Kryetari i shoqatës së këtyre transportuesve, Beqir Mustafa, ka thënë se kanë marrë premtime nga Policia dhe Komuna se do të vendosin disa pika kontrolli përgjatë rrugës Podujevë-Prishtinë për t’i larguar transportuesit ilegalë, e cila ka qenë edhe kërkesa e grevistëve. Greva ka vazhduar edhe ditën e martë, por Mustafa ka thënë se prej mëngjesit të së mërkurës do të fillojnë bartjen e udhëtarëve, shkruan sot Koha Ditore.

“E kemi pezullua grevën për 15 ditë, prej nesër (e mërkurë) fillojmë me punua. Jo sot nuk punojmë”, ka thënë Beqir Mustafa. “Kemi qenë në Prishtinë në Qendër te drejtori i Policisë edhe ai i operativës i ka thirrë këta të Ministrisë dhe të Komunës, Policinë në Podujevë dhe janë koordinua që prej nesër me punua. Nesër në mëngjes i ka 4 njësi prej ‘Xhamisë së Llapit’ deri te Komuna edhe knej në Podujevë. Nëse shkon mirë, na e vazhdojmë punën normal. E nëse jo, na prapë hyjmë në grevë. Po ata na kanë dhanë premtime goxha të forta”.

(Gjerësisht, në “Kohën Ditore”)