Pozicioni i ri i Haradinajt: Palët s’kanë nevojë të negociojnë me askënd përreth meje

0

Kandidati i PAN’it për Kryeministër, Ramush Haradinaj, ka shfaqur një pozicion të ri, në kuadër të koalicionit parazgjedhor. Ka thënë se negociatat me partitë tjera po i zhvillon personalisht derisa ka thënë se s’ka nevojë palët tjera të flasin me askënd përreth tij.

Në këtë mënyrë, Haradinaj ka hapur mundësinë e bisedimeve me LDK’në dhe Vetëvendosjen pa e përfshirë fare PDK’në e as NISMA’n për Kosovën.

“Situata nuk është ashtu siç po prezantohet në media. Unë në këtë rast përfaqësoj vetveten, Aleancën, koalicionin, por jam dhe mandatar. Do të thotë e kam të drejtën me negociua edhe palët që negociojnë me mua nuk kanë nevojë me negociua me askënd tjetër përreth meje”, tha Haradinaj, për rtv21.

Sidoqoftë, Lideri i AAK’së, ka thënë se i ka 61 vota për të formuar Qeverinë e Kosovës.

Asnjëherë deri më tash, Haradinaj dhe as zyrtarët e PDK’së nuk kanë përjashtuar një koalicion me LDK’në, e cila nëse mbetet në opozitë rrezikon të mbetet nën hijen e Vetëvendosjes, e cila si parti ka numrin më të madh të deputetëve në Parlament.

Pavarësisht kësaj, zyrtarët e LDK’së, sidomos ardhjet e reja që nuk janë në struktura të LDK’së kanë deklaruar se nuk do të bëjnë kurrfarë koalicioni me PDK’në. Të njëjtin qëndrim e kanë shprehur edhe udhëheqja e partisë së themeluar nga Ibrahim Rugova.

Mirëpo, askush prej LDK’së, deri më tash, se ka mohuar mundësinë e një koalicioni me AAK’në.

Paqartësitë për formimin e Qeverisë së re janë krijuar pas rezultateve zgjedhore, ku koalicioni parazgjedhor PAN fitoi vetëm 39 deputetë derisa i duhen të paktën edhe 22 të tjerë për të formuar Qeverinë. Përpos pakicave, Haradinajt për formimin e Qeverisë i duhen edhe disa vota nga koalicioni i LDK’së, AKR’së e Alternativës.