QPS-ja në Podujevë qe një vit pa drejtor, ushtruesi i detyrës u caktua tek në mars të 2020-s

0

Tash e një vit ka mbetur pa drejtor Qendra për Punë Sociale në Komunën e Podujevës, prejse është pensionuar ish-drejtori Osman Jashari.

Për një vit kjo qendër nuk ka pasur as ushtrues detyre, por një i tillë është emëruar tek në muajin mars të këtij viti.

Kjo qasje e ekzekutivit komunal të Podujevës ndaj këtij institucioni është kritikuar nga partitë opozitare, Vetëvendosje dhe PDK, raporton KOHA.

Sipas tyre, ligji e lejon fillimin e procedurave gjashtë muaj para se drejtori paraprak të ketë shkuar në pension, por një gjë të tillë Komuna nuk e ka bërë.

Por zëdhënësi i Komunës së Podujevës, Nazmi Elezi, ka thënë se qendra ka mbetur pa drejtor, pasi në dy konkurse nuk ka pasur kandidatë të mjaftueshëm.

Elezi ka bërë të ditur se nga muaji mars punëtori i kësaj qendre, Naim Potoku, është caktuar ushtrues detyre i drejtorit, ndërsa konkursi për këtë pozitë do të shpallet pas pandemisë.

Për Qendrën për Punë Sociale ka pasur kritika edhe më herët nga opozita për mungesë të një psikologu, automjetit zyrtar, pajisjeve e materialit për zyrë etj.