Rexhepi: Isha në Shkup kur Llapi më shkarkoi nga Podujeva

0

Xhengis Rexhepi, trajneri që u largua sot nga Llapi, ka mohuar deklarimin e klubit se është larguar me marrëveshje të dyanshme.

Sipas tij, “asgjë në komunikatën e klubit s’është e vërtetë dhe vendimi është marrë në mënyrë të njëanshme”.

Në një postim në Facebook, Rexhepi ka thënë se sot një donator i klubit i ka kërkuar që të ofrojë dorëheqjen për mungesë rezultatesh. Këtu ai ka thënë se s’ka logjikë sepse i “është kërkuar të dorëhiqet kundër dëshirës dhe të deklarohet vetë se e ka bërë për mungesë rezultatesh”.

Më tej, në reagim ai ka thënë se drejtuesit e Llapit kanë vendosur vet për shkarkim edhe pse ky kishte refuzuar të dorëhiqej.

Në fund ka thënë se e pranon vendimin e klubit, teksa ka thënë se “nuk më dhemb shkarkimi, por gënjeshtrat e plasuara se vendimi është marrë me pëlqimin tim”.

Ky është reagimi i tij i plotë:

Të nderuar miq, media dhe dashamirë të futbollit,

Pas komunikatës së publikuar nga KF Llapi në lidhje me ‘gjoja’ ndërprerjen e bashkëpunimit me marrëveshje të dyanshme, unë Xhengis Rexhepi ndjehem i thirrur të reagoj publikisht për t’i sqaruar opinionit të vërtetën.

E para që dua të them është se asgjë në komunikatën në fjalë nuk është e vërtetë dhe vendimi i drejtuesve të KF Llapit është në marrë në mënyrë të njëanshme.

Momentalisht unë jam në grumbullim me përfaqësuesen e Maqedonisë për dy ndeshjet e para të eliminatoreve për EURO 2020 dhe në asnjë moment nuk jemi ulur për të folur për ndërprerje të bashkëpunimit.

Gjatë ditë së sotme (20.03.2019) në Shkup ka udhëtuar donatori i klubit Baki Osmani dhe më ka përcjellë kërkesën e klubit për të ofruar dorëheqje për mungesë rezultatesh. Kujdes! Dy kërkesa jo logjike në të njejtën kohë! Të dorëhiqem kundër dëshirës sime dhe të deklaroj vetë se këtë e bëj për mungesë rezultatesh!

Natyrisht se kam refuzuar diçka të tillë, sepse unë jam brenda objektivave të vendosura, luftës për titull dhe daljes në Evropë. Me 10 ndeshje deri në fund të kampionatit, ku në lojë janë edhe 30 pikë, unë isha i gatshëm të vazhdoja të punoj në drejtim të arritjes së aspiratave. Në periudhën që kam drejtuar Llapin, kemi humbur vetëm një ndeshje dhe në derbi gjithçka mund të ndodh, duke kërkuar fitoren vjen edhe disfata, ndërsa si dështim e vlerësoj vetëm ndeshjen e fundit dhe barazimin me Ballkanin.

Duke u përballur me refuzimin tim të ndjek urdhërat e Tahir Batatinës, drejtuesit e Llapit kanë marrë vetë vendimin për shkarkimin tim, duke gënjyer opinionin se jemi ndarë me marrëveshje të dyanshme.

Sigurisht se unë pranoj vendimin e tyre, sepse futbolli i ka në vetë këto gjëra, por sigurisht se mbeten të pastrohen detyrimet që klubi ka ndaj meje.

Në të njejtën kohë dua që të bëj publike diçka për të cilën nuk kam dashur të flas, por ja që detyrohem. Pas fitores me Trepçën 89 në adresën time erdhi ofertë të transferohem si ndihmës trajner në Super Ligën e Turqisë te skuadra e Goztepes, ku tashmë trajner është ish-bashkëpuntori im nga skuadra e Sivasporit, Tamer Tuna.

Kam refuzuar këtë ofertë sepse duke kërkuar të ruaj vlerat e mia njerëzore e profesionale, nuk më lejonte ndërgjegja të lë në gjysmë punën e nisur dhe kontratën që më lidhte me KF Llapin.

Normal të gjithë nuk mendojmë njejtë dhe nga drejtuesit e klubit lojaliteti im shpërblehet në këtë mënyrë. Të kuptohemi drejtë, nuk më dhemb shkarkimi, por gënjeshtrat e plasuara se vendimi është marrë me pëlqimin tim!

Gjithsesi, tashmë kur vendimi është definitiv dhe drejtuesit e Llapit vlerësojnë se duhet të vazhdojnë pa mua, më mbetet të shpreh dëshirën e sinqertë për suksese sa më të mëdha të KF Llapit. I dëshiroj suksese edhe drejtorit, tashmë trajnerit të ri të Llapit, Tahir Batatinës.

Falemenderim i madh për simaptizuesit dhe mbështetësit e KF Llapit, tifo grupit ‘Legjendat’ për mbështetjen e pa rezervë që më kanë dhënë gjatë gjithë kohës.

Falemenderim i madh për bashkëpunimin korekt për gjithë futbollistët e KF Llapit, grup fantastik lojtarësh me karkater dhe vlera të larta njerëzore.

Falemderim për secilin në KF Llapi dhe Kosovë që në një mënyrë kanë qenë të lidhur me mua.

Falemenderim dhë mirënjohje për mediat për bashkëpunimin korrekt.

Faleminderit Podujevë, suksese KF Llapi.

Me respekt, Xhengis Rexhepi.