Sami Kurteshi i Vetëvendosjes: Isa Mustafa është titist

0

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Sami Kurteshi, i është kundëpërgjigjur kreut të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, i cili sot ka thënë se VV duhet ta sqarojë punën e 72 dosjeve të dërguara kundër tij në prokurori, para se dy partitë të mund të diskutojnë për një koalicion të mundshëm për qeverisjen e vendit.

Kurteshi, i cili është caktuar nga Vetëvendosje kandidat për kryetar të Gjilanit, ka thënë në “Interaktiv” të KTV’së se çështja e ndërtimit të institucioneve nuk duhet të shndërrohet në një çështje personale.

“Dikush nga Vetëvendosje ka mundur ta quajë edhe Titist, Isa Mustafën. A s’është e vërtetë kjo a?”, është shprehur Kurteshi.

Ai emrin e Mustfës e ka ndërlidhur edhe me periudhën e diktatorit Sllobodan Millosheviq.

Kurteshi ka folur edhe për takimin konsultativ të partive politike, të cilin e ka quajtur si “mbledhje para-politike” dhe si jo-kushtetuese, pasi, sipas tij, Kuvendi ka nevojë të nisë punën shkaku i shumë çështjeve të pazgjidhura.

Kurteshi ka thënë se të mërkurën Vetëvendosje nuk do të shkojë në takimin konsultativ, pasi në këtë mbledhje pritet të diskutohet rreth mundësisë së dërgimit të pyetjeve në Gjykatën Kushtetuese.