Sfidat e riintegrimit të të rikthyerve në Kosovë

0

Vala e fundit e madhe e emigrimit, gjatë viteve 2014-2015, ka hapur një diskutim rreth politikave të shtetit të Kosovës në përgjithësi. Diskutimet përfshinin çështje të sigurisë, punësimit, shëndetësisë, dhe një grup të çështjeve tjera. Tashmë, një pjesë e të emigruarve janë kthyer, disa vullnetarisht e disa jo. Riintegrimi i të rikthyerve në Kosovë mbetet çështje që kërkon përkushtim dhe punë të organizuar në vazhdimësi, prandaj është i nevojshëm informimi sa më i saktë, dhe politika efektive për të ndihmuar të kthyerit që më lehtë të riintegrohen në shoqëri. 

Fillimisht kujtojmë që emigrimi i qytetarëve të Kosovës është sfidë e kamotshme. Emigrimi i paorganizuar dhe pa kontroll nga vendi ynë, ka ndikuar që një shumicë e mirë e emigrantëve nga Kosova të mos priten mirë në shumë vende Evropiane. Kjo gjë ka shkaktuar nevojën për zhvillimin e politikave të ndryshme nga të gjithë akterët për riintegrimin dhe mobilizimin e të kthyerve Kosovarë. Ky problem për riintegrimin e të kthyerve në Kosovë nuk ka përfunduar me periudhën e pasluftës në Kosovë, mirëpo vazhdon të jetë shqetësim dhe projekt për organet qeveritare edhe pse është zgjidhur deri në një masë. Mirëpo vala e fundit (2014-2015) e emigrimit ka shkaktuar probleme, dhe ka rihapur kapitullin e riintegrimit.

Tashmë institucionet përgjegjëse qeveritare të Kosovës përmes  Departamentit të  riintegrimit  të personave të riatdhesuar në kuadër të MPB-së, po ashtu përmes  MPMS-së, drejtorive komunale për shëndetësi dhe mirëqenie sociale, si dhe qendrave për punë sociale ndihmojnë, hartojnë strategji dhe menaxhojnë procesin e riatdhesimit dhe riintegrimit të kthyerve në Kosovë. Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, përmes skemave të dizajnuara për asistencë sociale mbulon po ashtu edhe të rikthyerit. Njëri nga lajmet që ka bërë bujë më së shumti, sa i përket përfitimeve për të rikthyerit, ka qenë rreth granteve prej 3,000 Euro. Mirëpo, në mungesë të detajeve dhe informacioneve të sakta, shumë të rikthyer janë dëshpëruar pasi që kanë kuptuar që nuk i plotësojnë kriteret për këto grante.

Kriteret për përfitime variojnë nga lloji përfitimit. Fushat për grante përcaktohen nga niveli qendror. Kjo e pamundëson që të adresohen nevojat dhe kërkesat në nivel lokal. Përderisa në komuna të caktuara një lloj veprimtarie do të ishte e nevojshme, dhe granti do të mundësonte të krijohej një biznes i qëndrueshëm, kjo nuk realizohet për arsye të fushave të caktuaranganiveliqendror.Poashtu, përfituesit e këtyre granteve duhet të kenë çertifikime për fushat që aplikojnë, të mos posedojnë grante paraprake.

Të rikthyerit mbështeten nga qeveria e Kosovës përmes kuvendeve komunale dhe qendrave për punë sociale lokale. Llojet e mbështetjes përfshijnëjo vetëm pako ushqimore dhe ndihma sociale, por edhe trajtime mjekësore. Përgjatë diskutimeve të ndryshme paraqitet që problemet kryesore janë centralizimi i politikave. Politikat që nuk marrin parasysh nevojat e ndryshme që rrjedhin në bazë të komunave, nuk do të jenë gjithëpërfshirëse.

Njëri ndër problemet kryesore që shkakton emigrimin, por edhe në të njëjtën kohë vështirëson riintegrimin dhe rehabilitimin e qytetarëve të rikthyer është papunësia. Papunësia, ndonëse problem në nivel nacional, ndikon në veçanti për të rikthyerit, pasi që shkakton pasiguri. Përveç kësaj qeveria e Kosovës duhet të hartojë edhe strategji të veçanta për personat e moshuar, fëmijët dhe të rinjët, kategori këto që janë të ndjeshme për riintegrim  në Kosovë.

Rekomandimet më të shumta që vijnë nga diskutimet rreth kësaj teme janë që: Të ndërtohet numër më i madh i strehimoreve me qëndrim të përkohshëm për familjet e posa kthyera, mbështetja financiare më e madhe përmes projekteve konkrete ( financimi fillestar 100% për dymbëdhjetë muaj, pastaj 50% për gjashtë muajt e ardhshëm ), mbështetja në aftësim profesional me kombinim të teorisë dhe praktikës, rritjen e ndihmave sociale në harmoni me inflacionin dhe shportën e ushqimit si dhe të hulumtohen dhe të shfrytëzohen fondet e BE-së për të kthyerit.

Opinion, shkruar nga Liridona Rrahmani

 

 

Rikthe një koment

Ju lutem shkruani komentin!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu