Shoqata “Përkorë” në Podujevë e pakënaqur me punën për zbardhjen e fatit të të pagjeturve

0

Shoqata e të Zhdukurve në Podujevë “Përkorë” akuzon institucionet për mos angazhim në zbardhjen e fatit të të zhdukurve.

Latif Mehmeti, kryetar i kësaj shoqate përmes një komunikate për media thotë se përkundër premtimeve të liderëve të institucioneve të Republikës të Kosovës së çështja e të zhdukurve do të jetë në prioritet dhe temë e veçantë në bisedime me palën serbe, gjithçka mbeti vetëm një premtim.

“Çështja e të zhdukurve sikur u harrua edhe brenda institucioneve dhe nga vetë mekanizmat që janë të thirrura të merren me këtë problematikë në Republikën e Kosovës. Institucionet, që e kanë në përgjegjësi hulumtimin dhe gjetjen e personave të zhdukur në Republikën e Kosovës, dikur arsyetoheshin se kompetencat për të zhdukurit janë tek ndërkombëtarët. Ndërsa, tani kur kompetencat janë bartur tek institucionet e Republikës së Kosovës, mekanizmat kompetente për këtë çështje kanë rënë në gjumë, sikur i kanë harruar edhe 1650 persona që konsiderohen të zhdukur nga lufta në Kosovë”, thotë Mehmeti, transmeton Koha.net.

Duket se të gjitha “përpjekjet” për të hulumtuar zonat ku dyshohet për varreza masive, bëhet sa për të arsyetuar ekzistencën e këtyre institucioneve, sepse, sipas tij, rezultatet viteve të fundit janë zero.

“Këtë më së miri e ilustron rasti i fshatit Majac në Komunën e Podujevës. Po bëhen dy vite që ka një urdhëresë për fillimin e hulumtimit për një varrezë në këtë fshat, por kjo nuk ndodhi. Me siguri edhe këtë vit një gjë e tillë nuk do të ndodhë, sepse tani kemi hyrë në sezonin e vjeshtës dhe do të arsyetohen për kushtet e pa favorshme atmosferike”, thotë ai.

Mehmeti shton se kjo neglizhencë ngjall dyshime dhe neveri te familjarët e të pagjeturve.

“Ata sigurisht se do të shtrojnë pyetje: a janë të përgatitura dhe të interesuara institucionet tona për hulumtimin dhe hapjen e varrezave të dyshuara masive? Apo mos dikush qëllimisht po e pengon këtë proces, për interesa politike, apo çfarëdo tjetër?!”, thotë Mehmeti.

Rikthe një koment

Ju lutem shkruani komentin!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu