Thaçi mirëpret raportin – përplot kritika – të Departamentit të Shtetit

0

Zyra për Demokraci, të Drejta të Njeriut dhe Punë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka publikuar raportin për gjendjen e të Drejtave të Njeriut në Kosovë për vitin 2016.

Sipas presidentit të vendit Hashim Thaçi, ky raport ka vlerësuar si probleme kryesore mungesën e dënimit për të korruptuarit, pengimin e debatit të lirë në Kuvend si dhe diskriminimin e individëve dhe komuniteteve për shkak të përkatësisë së tyre gjinore, etnike e fetare apo përcaktimit seksual.

Thaçi përmes Facebook-ut ka thënë se megjithë përkushtimin e tij për konsolidimin e sundimit të ligjit, promovimi dhe mbrojta e të drejtave të njeriut nuk është detyrë vetëm e institucioneve të vendit.

“Si president jam përkushtuar për konsolidimin e mëtejshëm të sundimit të ligjit, që të mbyllim çdo mundësi që dikush t’i shmanget ligjit. Kam promovuar dialogun në mes të gjitha komuniteteve dhe kam punuar në favor të të drejtave të gjitha komuniteteve. Por, promovimi dhe mbrojtja e të drejtave të njeriut nuk është detyrë vetëm e institucioneve shtetërore. Është obligim i tërë shoqërisë që të punojë dhe të eliminojë dhunën dhe diskriminimin nga jeta jonë, duke pranuar njëri-tjetrin pa marrë parasysh bindjet politike, përkatësinë etnike, fetare apo gjinore dhe orientimin seksual”, ka shkruar Thaçi.

Sipas tij, Kosova është e të gjithë qytetarëve të saj dhe çdokush duhet ta gëzojë të drejtën të jetojë në dinjitet dhe të kërkojë lumturinë ashtu siç e kupton, pa cenuar të tjerët, shtetin dhe shoqërinë.