Vazhdon beteja e komandantëve për numrin e ushtarëve të UÇK’së

0

Dikush thotë se Ushtria Çlirimtare e Kosovës i ka pasur 60 mijë ushtarë, që sot përkthehen në veteranë, dikush thotë 17 mijë, e dikush 12 mijë. Por, asnjë nga komandantët nuk e thonë numrin e saktë, e kështu bien ndesh me njëri tjetrin. Dy liderët kryesor të vendit edhe sot shfaqën mospajtimet rreth numrit të pjesëtarëve të UÇK’së. Haradinaj e Thaçi as nuk i përafrohen shifrës për ushtarët. Njëri thotë 60 mijë, tjetri thotë 12 mijë.

Numri i ushtarëve të UÇK’së 20 vjet pas luftës po i ndesh komandantët, udhëheqësit, njerëzit kryesorë që morën pjesë në luftë.

Ramush Haradinaj si komandant në Zonën Operative të Dukagjinit të UÇK’së, sot Kryeministër, ka thënë se vetëm Zona e Dukagjinit ka pasur 60 mijë pjesëtarë të UÇK’së.

Edhe Daut Haradinaj, që ishte gjenerali i Brigadës 131 “Jusuf Gërvalla”, pajtohet me vëllain e tij, kryeministrin.

Por, kështu nuk mendon edhe njëri nga udhëheqësit e luftës, Sylejman Selimi, komandant i Shtabit të Përgjithshëm.

Në një intervistë për Gazetën Express dhe Televizionin 7, të realizuar në gusht të këtij viti, Selimi nga Burgu i Dubravës, tha se UÇK’ja kishte 12 mijë e 700 ushtarë.

“Sipas të gjitha shënimeve të komandantëve të zonave, në përgjithësi ka variuar numri deri në 12700”, ka thënë Selimi përmes telefonit, nga burgu i Dubravës.

Ai, madje ka ofruar edhe ide se si mund të ketë zgjidhje situata e krijuar me listat e veteranëve të luftës, duke thënë se procesi i verifikimit të veteranëve duhet të kthehet ne rivlerësim.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, që në kohë lufte ishte Drejtor politik i UÇK’së, ka thënë se në luftën e Kosovës nuk ka pasur më shumë se 12 mijë ushtarë.

Thaçi, sot në Konferencën Rajonale Kundër Korrupsionit, ka thënë se në asnjë mënyrë nuk ka pasur me shume se 12 mijë ushtarë të UÇK, një shifër kjo që 5 fish më e madhe se e ka prezantuar Ramush Haradinajn vetëm për rastin e Dukagjinit ku ka thënë se ka pasur deri në 60 mijë pjesëtarë te UÇK-së.

Por, komandanti i UÇK-së për Zonën Operative të Drenicës, Sami Lushtaku për numrin e veteranëve thotë se të gjithë e dinë se në luftë nuk ishin kaq ushtarë sa tash u bënë veteranë.

Ai për Televizionin 7 pati thënë se kurrsesi nuk mund të dalin 60 mijë veteranë nga lufta.

Prokurori i Prokurorisë Speciale, Elez Blakaj, ka akuzuar 12 persona për fryrjen e listave të veteranëve, në një aktakuzë të ngritur më 11 korrik të 2018.

Të akuzuar janë: Agim Çeku, Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaha, Shkumbin Demaliaj, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Rrustem Berisha, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj, Xhavit Jashari.

Aktakuza i ngarkon të gjithë këta se, si anëtarë të Komisionit qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të dëshmorit të kombit, invalidit, veteranit, pjesëtarit dhe të internuarit të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, “në cilësinë e personave zyrtarë, me dashje kanë tejkaluar kompetencat e tyre, si dhe nuk i kanë përmbushur detyrat zyrtare, me qëllim që t’ua mundësojnë personave të tjerë të përfitojnë kundërligjshëm në vazhdimësi në dëm të buxhetit të Republikës së Kosovës”.GazetaExpress/

 

Rikthe një koment

Ju lutem shkruani komentin!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu