Xheladin Rekaliu, një patriot i devotshëm

0

Më 17 janar 2019 bëhen 20 vjet që kur ndërroi jetë atdhetari dhe patrioti i devotshëm i çështjes kombëtare Xheladin Rekaliu. Xheladini që tërë jetën me përkushtim fanatik ia kushtoi çlirimit kombëtar dhe lirisë së shqiptarëve në Kosovë, vdiq nga një sëmundje e rëndë më 17 janar 1999, vetëm 6 muaj para ngjarjeve të bujshme të 1999-ës, çlirimit të Kosovës nga Serbia, të cilin aq shumë e deshi dhe e priti dhe për çka aq shumë sakrifikoi, gjatë jetës së tij.

Shkruan: Mr.Avdi Gjata (Autori është ish i burgosur politik)

Kush ishte Xheladin Rekaliu?

Xheladini lindi më 1948 në fshatin Gegaj të Podujevës, në një familje me tradita dhe histori mbresëlënëse që fillon  nga Rilindja Shqiptare, gjegjësisht nga  Lidhja e Prizrenit e vazhdon deri me çlirimin e Kosovës nga pushteti i Serbisë. Hajdin Rekaliu (gjyshi i Xhelës) kishte katër fëmijë. Jetishin, Faikun, Tefikun dhe vajzën Naxhijen e cila është nëna e luftëtarit të lirisë së UÇK-së, Remzi Demollit, i vrarë në luftë, ballë përball me ushtrinë serbe, në betejën tashmë të njohur të fshatit Kastrat (Obrançë) më 27 dhjetor 1998.

Babai i Xhelës, Jetishi, ishte martuar me mbesën e Salih Hoxhës, Bahrien, nga fshati Llaushë i Besianës i cili është i njohur për veprimtari politike e kombëtare gjatë sundimit të MSKS, që ishte arrestuar shumë herë nga pushteti i asaj kohe edhe pse kishte qenë një kohë deputet (posllanikë) në mbretërinë Serbe. Xheladini kishte edhe dy motra, Sevdijen e Mevludën.  Xhela u martua me  Remzije Sh. Gjatën nga fshati Bajçinë në vitin 1965, vajza e Shaqir Gjatës, familje e njohur për angazhim atdhetar gjatë Luftës së Parë e Dytë Botërore. Shaqir Gjata, kishte të mbaruar shkollën tetëvjeçare që i kishte krijuar mundësi t’i përcillte zhvillimet e rrjedhat politike. Më vonë edhe vet ai ishte pjesëmarrës e anëtarë i Komitetit Rinor Nacionalist për Mbrojtjen e Kosovës. (KRNMK), që vepronte në atë kohë në Kosovë.

Shaqiri së bashku me Ismajl e Adem Ymer Thaçin nga fshati Zakut, Çazim A. Stubllën nga Lluzhani, dhe Ejup Hoxhën nga Lluzhani nën drejtimin e Imer Berishës më 16 nëntor 1944, të armatosur  bashkë me ushtar të tjerë, kishin shkuar së bashku në Drenicën heroike për ta ndihmuar luftën e cila bëhej, kundër pushtimit serb të Kosovës që udhëhiqej nga Shaban Polluzha e Mehmet Gradica. (Shih vep. E cituar!

– Fehmi Pushkolli, Nuhi Gashi patriot dhe mësues, f. 68. Prishtinë.

-Kujtime; dhe intervistë me Sheqir Gjatën; dorëshkrim 1990, e bërë nga Avdi Gjata).

Sevdija, motëra e madhe e Xheladinit, martohet me Shefkiun nga fshati Bajçinë që  është djalë i shtëpisë së Rexhep A. Gjatës që në odën e tyre në shtator të vitit 1967 ishte marrë vendimi për organizimin e fillimin e demonstratave të vitit 1968. Trembëdhjetë vite më vonë, mu nga kjo familje, gjatë vitit 1983-84. Avdi H. Gjata dënohet me 8 vjet burg, pasi ishte anëtar i lëvizjes për organizimin e demonstratave të vitit 1981, 82, 83 për krijimin e Republikës së Kosovës, rrënimit të pushtetit jugosllav komunist, angazhim kombëtar,veprimtari ‘armiqësore’ e nacionaliste’  e veçanërisht për Bashkimin e Kosovës me Shqipërinë.

Gjatë luftës së fundit çlirimtare në komunën e Vushtrrisë nga paramilitarët e ushtria serbe, Xhelës i vriten motra Sevdija dhe djali i saj Meriton Gjata  me 2 maj 1999, i cili ishte ushtar i rregullt në radhët e UÇK-së.

Xheladini, pas vetes i la gjashtë fëmijë: Fitorja, Ardiana, Mimoza, Muhamedi, Valmira dhe Ardiani. Ai, ishte fëmija i parë i familjes së Jetish Rekaliut dhe djali i vetëm i kësaj familjeje tashmë të njohur për këtë anë të Kosovës. Mbase ky ishte edhe shkaku pse ai ishte fëmija më i dashur dhe më i përkëdhelur i familjes, e veçmas i gjyshit të tij Hajdinit. Derisa Xhela ishte fëmija më i madh ai rritet pa brenga të mëdha, pa e përjetuar edhe aq shumë problemin e skamjes e vuajtjeve nga skamja, me të cilat për çdo ditë, ballafaqoheshin bashkëmoshatarët e tij. Për atë, vuajtjet e shqiptarëve nën pushtetin serb i mësoi nga bisedat e burrave e mysafirëve që hynin e dilnin në odën e tij e që gjenin bujarinë e ngrohtësinë në odën e babë Hajdinit. Për vuajtjen e hallet e popullit ai dëgjonte edhe në odën e gjyshit Bajramit të Salih Hoxhës në Llaushë që ishte i njohur në këto anë për pajtimin e gjaqeve dhe bashkimin e shqiptarëve.

Burgimi në Goli Otok

Të gjitha këto preokupime, një nga një nguliteshin në mendjen e Xheles, të cilat ai vulosi me vulën e pashlyer që e nxitën në veprimtarinë e tij të mëvonshme atdhetare. Shkollën fillore katër vjeçare e kishte kryer në shkollën fillore “Momçillo Popoviq” që tani e mbanë emrin e ‘Azem Bejtës’, e cila ishte paralele e shkollës fillore të Kërpimehut. Mësuesit e tij të parë ishin Abdullah Hoxha, e babai i tij Jetish Rekaliu që ia dhanë hapat e parë të diturisë, kurse katër vite më vonë i kreu në shkollën fillore të Kërpimehut, që pjesën më të madhe të lëndëve i mësoi në gjuhën serbokroatishte. Kur e mbaroi shkollën fillore, ai me familjen e tij u vendosën në qytetin e Besianës, aty ku edhe më tutje familja e tij vazhdojnë të banojnë. Po at vit Xheladini arrin të regjistrohet në shkollën e mesme teknike ‘19 Nëntori’ në Prishtinë të cilën e mbaroi  gjatë vitit shkollor 1965-66. Gjatë shkollimit të mesëm ai shoqërohet me veprimtarët e ardhshëm të çështjes kombëtare si Osman Dumoshin, Afrim Loxhën, Ilaz Pirevën, Adil Pirevën që më vonë kishte krijuar edhe miqësi familjare, Skender Muçollin e shumë e shumë shok të tjerë anë e mbanë Kosovës. Gjatë viteve 1966-68 ai filloi të ushtroi detyrën e shenjët të mësuesit në fshatin Mirash (ish Hadja’) të Kastriotit. Edhe sa ishte mësues ai e vazhdoi edhe më tutje veprimtarinë ilegale atdhetare për propagandimin e çështjes së Kosovës për organizimin e bashkimin e popullit për rezistencë e luftë të armatosur Në kuadër të veprimtarisë së tij, vend të rëndësishëm zinte edhe angazhimi për zgjerimin, emancipimin e forcimin e dijes si edhe zhdukjen e analfabetizmit të shqiptarëve të Kosovës, po edhe të trevave tjera, pasi e kishte të qartë se pa emancipimin edhe të femrave dhe forcimin e dijes nuk kishte mundësi të çlirohen këto vende.

Krahas, angazhimit në procesin mësimor, ai merrej edhe me organizimin e krijimin e grupeve  ilegale, formimin e lidhjen e grupeve me njerëz të rinjë në tërë  Kosovën e veçanërisht, duhet cekur  komunën e Besianës. Me shokët e tij siç janë Sabit Syla, Hamit Abdullahu, Hasan Shala (i vëllai i Shaban Shalës të cilin e kishin  mbytur në burgun e Prishtinës punëtorët e sigurimit shtetëror), pastaj Abdullah Nishefcin, Bahri Shabanin, Skender Hoxhën, Shefqet Shalën etj  formojnë organizatën ‘ilegale’ që do t’i përgatiste  të gjitha mjetet e nevojshme dhe do t’i bëjë të gjitha përgatitjet për demonstratat që do të bëheshin më 1968 edhe në Besianë e pjesët tjera të Kosovës. Në Besianë me kohë ishin, gjetur e siguruar bazat e organizimit, strehimit, tubimeve për ruajtjen e materialit ‘armiqësor’ propagandistik e ushtarak që ishin të nevojshme e  domosdoshme për organizatorët dhe pjesëmarrësit në demonstrata, pasi që anëtarët e lëvizjes ndiqeshin këmba këmbës pandërprerë nga sigurimi i jugosllav dhe ndihmësit e tij. Bazat më të rëndësishme ishin: punëtoria e Abdullah Nishefcit,  ku ishte qepë flamuri, i cili është shpalosur e bartur  gjatë demonstratës në Besianë. Bazë tjetër ishte edhe Teqja e Besianës, e cila për fatkeqësinë tonë historike, është rrënuar pastaj, shtëpia e Sabit Sylës e Hamit Avdullahut, Hasan  Shalës, Hakif Shehollit, Bahri Shabanit, Skender Hoxhës, Shefqet Shalës, Rexhep Gjatës, Xhafer Ejupit, Tefik Çitakut, Selatin Vokrrit etj.

Në mesditën e 27 nëntorit të vitit 1968 në qendër të Besianës nisi demonstrata e shumë pritur nga populli në të cilën  morën pjesë disa mijëra qytetar  të Llapit për ta kundërshtuar e për t’i thënë hapur pushtetit jugosllav, njëherë e përgjithmonë stop vuajtjes, dhunës e gjenocidit që në mënyrë sistematike e të heshtur bëhej nga makineria shtetërore serbe. Pasi, Xheladin Rekaliu ishte njëri nga organizatorët kryesor të demonstratës në Besianë dhe Prishtinë, ai arrestohet më 3 dhjetor të vitit 1968 së bashku me grupin e tij, që dënohet me katër vjet burg të rëndë, sipas nenit 119 paragrafi 1 të KP për veprimtari armiqësore nga kryetari i kolegjit dhe kryetari i gjyqit Nazmi Juniku. Ai dërgohet për vuajtje të dënimit në burgun e njohur famëkeq jugosllav në Goli Otok të Kroacisë, i cili ishte i dedikuar kryesisht për të burgosurit politik.

Pas mbajtjes e vuajtjes së dënimit në vitin 1972, filloi të punoi si teknik i makinerisë në KNI ‘ Ramiz Sadiku’. Në të njëjtin vit regjistrohet në shkollën e Lartë Teknike në Mitrovicë të Kosovës, të cilën e mbaroi me sukses. Gjatë punës në ‘Ramiz Sadiku’ në repartin e axhustatorëve, ishte njëri nga punëtorët që kishte përkrahjen më të madhe dhe gëzonte respektin më të lartë në mesin e punëtorëve. Aty vazhdoi punën pa ndërprerë deri më 3 shtator 1990, kur u dëbuan të gjithë punëtorët shqiptar me dhunë nga pushteti dhe okupatori  i dhunshëm serb. Edhe përkundër vuajtjes së dënimit Xheladini ndiqej e përcillej këmba këmbës nga organet e sigurimit, pasi gjithmonë llogaritej si njeri i rrezikshëm për pushtetin. Asnjëherë, nuk mund të kalonte festë apo datë me rëndësi që  mos të burgosej apo izolohej për disa ditë me radhë, derisa të kalonte manifestimi.

Gjatë vitit 1979 Xheladinin e dërgojnë në izolim, ku qëndron katër ditë në bazë të urdhëresës nr. 1195 të datës 15. 10. 1979 të nënshkruar nga eprori i organit Hasan Mehmeti. Gjithashtu edhe gjatë vitit 1981 kur në Kosovë shpërthyen demonstratat masive, Xheladin Rekaliu u mbajt në burg për pesë muaj e gjysmë si masë sigurie, me aktvendimin për izolim nr. 230. a/81 të nënshkruar nga Sekretari Krahinor i PB-së Mehmet Maliqi. Herën e fundit Xhela do të merret në një ‘bisedë të shkurtër’ me datën 28 mars 1989, që për fat të keq të tij kjo bisedë zgjati hiq më pak se 60 ditë në izolim së bashku me grupin e intelektualëve të Kosovës, i njohur si izolimi i  Leskovacit. (Për torturat dhe tmerret e kësaj ‘Bisede’ mund të lexoni në librin ‘ Tunelet e Tmerrit’ të shkruar nga Ibrahim Osmani e Fahri Musliu, Prishtinë, fq. 94).

Si pasojë e vuajtjeve, torturave, dhunës psikike, izolimeve, izolimit qytetar dhe streseve sistematike të shkaktuara nga pushteti politik nga organet e sigurimit si edhe presionet tjera të ndryshme, te Xheladini nisën problemet me shëndetin. Edhe pse kishte fizik të fuqishëm dhe të zhvilluar, nisi t’i ndjejë këto pasoja, sidomos pas shenjave të para të paraqitjes së sëmundjes së rëndë. Për mungesë të dokumentacionit legal për udhëtim ai u detyrua të shkoi ilegalisht në Shqipëri për të kuruar pasi që spitalet në Kosovë ishin në duart e mjekëve serb. Pasi, edhe  mjekët e spitalit të Tiranës nuk arritën të zbusin përmasat e sëmundjes, ai u detyrua të shkonte në  spitalin e Zvicrës për të kërkuar shërim. Mirëpo, sëmundja e kobshme për çdo ditë ia rëndonte shëndetin e jetën. Kur më në fund u bind se nuk kishte shërim, me çdo kusht kërkoi të kthehet në Kosovë, ku nga dita në ditë përshkallëzohej lufta shqiptaro serbe, tashmë e njohur dhe e sensibilizuar gjithandej edhe në botë.

Dëshira e madhe për t’u varrosur në dheun e Kosovës për të cilin ia kushtoi një jetë të tërë iu realizua me ndihmën dhe sakrificën e miqve e shokëve të tij të ilegales e të luftës. I shtrirë në shtrat në shtëpi nga sëmundja e rëndë, iu gëzohej vizitave të shokëve dhe miqve, e sidomos lajmeve për sukseset e arritura të UÇK-së dhe njëkohësisht mërzitej, pse nuk kishte mundësi t’iu  bashkohej trimave të Kosovës. Kur ushtarakët dhe komandantët e ZOLL-it të UÇK-së me ushtarët e tyre gjendeshin në pozicione të vështira e të pa lakmueshme vinin për ta vizituar e të merrnin këshilla e sugjerime politike e ushtarake për punën e mëtutjeshme. Më 17 janar të vitit 1999 Xheladini ndërroi jetë, për të mos vdekur kurrë. Sot, në përkujtim të Xheladin Rekaliut, një shkollë në Besianë dhe një rrugë në Prishtinë mban emrin e tij i cili do të përkujtohet sa do të rrojnë shqiptarët anë e mbanë rruzullit tokësor.